Qeveria prish shtepitë prej druri dhe jep leje betoni Morinës

Në Shqipërinë e ndarë mes zhdukjes së fshatarit dhe ngritjes së kullave, historia që po ndodh në Dhërmi është më shumë se një aksion i radhës kundër ndërtimeve pa leje. Është një spastrim institucional, një plan i mirëmenduar për të zhdukur banorët vendas dhe për t’ua dorëzuar tokën oligarkëve me letra në rregull dhe mbështetje nga qeveria deri në detajin më të vogël.

Nga punonjës të pezulluar, te rruspat që prishin për sy e faqe

Aksioni nisi me një lajm të vogël: Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, pezullon punonjësit e IMT-së me pretekstin se kanë lejuar ndërtime pa leje. Por në vend të tyre, në skenë futet forca e madhe: IKMT me mjetet e rënda, me urdhër nga lart, vërshon në bregdetin e Dhërmiut për të prishur disa baraka, kasolle apo konstruksione me dërrasa dhe llamarina – ndërtime që janë shumë larg luksit të resorteve që po ngrihen një kodër më sipër.

Ky është kulmi i hipokrizisë shtetërore: Ndërsa vendore dhe qëndrore shfaqen në rol kontrollorësh ndaj ligjit, në sfond përgatitet shkelja më e madhe dhe më e ligjshme.

Nga njëra anë prishen ndërtime dhe nga ana tjetër miratohen ndërtime. Prishen konstruksione të lehta, dru dhe metalike, ndërkohë që miratohen leje ndërtimi mijëra metra katrorë.

PARADOKSI në DHËRMI IKMT prish ndërtimet me dru, qeveria jep leje
Vendimi i KKTU-së për miratimin e një kompleksi hiteleri, rezidencial dhe shërbimi në Dhërmi

Drurët dhe pjesët metalike të prishura pritet të zëvendësohen me beton, madje edhe në kodrën e Dhërmiut, aq të lakmuar nga investitorët strategjikë apo edhe ologarkët e mëdhenj, ku nuk përjashtohen as politikanët.

Prish për të ndërtuar më shumë  dhe më shtrenjtë

Në të njëjtin territor ku prishen me dhunë ndërtimet e vogla, me të njëjtën firmë dhe të njëjtin kalem, Këshilli Kombëtar i Territorit jep një leje ndërtimi për një kompleks hoteleri, rezidencial dhe shërbimi, me emrin komik “In the Wild”. Kompania përfituese është “Xheluks Construction”, në pronësi të Julian Morinës, e cila pritet të ndërtojë në kodrën më të lakmuar të Dhërmiut, përballë detit, në një sipërfaqe prej 6646 m².

Në dokumentin e miratimit, gjithçka duket si përrallë arkitektonike me “lozha, veranda, harqe dhe pamje panoramike”. Në realitet, është një projekt që zhduk përfundimisht peizazhin natyror, i vendosur mbi një skemë që zhvendos njerëz të zakonshëm për t’u hapur rrugë të “fortëve me letra”.

Territorit dhe Ujit ka miratuar në fund të vitit 2024 një vendim me numër 24, me objekt “për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin ‘In the Wild’, kompleks hoteleri, rezidencial dhe shërbime, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë”.

Leja është dhënë pikërisht në “skenën e krimit” ku operon Bashkia Himarë dhe IKMT-ja, ndërkohë që në dokument përcaktohet se firma që qendron pas kësaj leje është “Xheluks Construction” me pronar z. Julian Morina.

PARADOKSI në DHËRMI IKMT prish ndërtimet me dru, qeveria jep leje
Plani Vendor Urbanistik i Bashkisë së Himarës, ku shihet se i gjithë Dhërmiut do të betonohet

Por, krahas lejes që ka marrë firma “Xheluks”, në dokumente është vendosur edhe harta dhe Plani Vendor Urbanistik i Bashkisë Himarë, ku shihet se e gjithë zona e Dhërmiut pritet të betonohet. Janë pjesët në afërsi të detit, ku duket qartë se shumë shpejt atje do të bëhen komplekse.

Duket se aksioni i vetë IKMT-së e ka pasur si qëllim që të largojë banorët vëndas, për t’i zëvendësuar me oligarkë të preferuar, të cilët kanë marrë edhe lejet e para. E njëjta skemë që ka ndodhur në gjithë territoret e tjera, aq të kërkuara.

PARADOKSI në DHËRMI IKMT prish ndërtimet me dru, qeveria jep leje
Projekti i kompanisë “Xheluks” është në pjesën e detit, teksa parashikon ndërtime deri në 3 kate

Projekti i kompanisë “Xheluks” përfshin ndërtimin e disa godinave, në breg të detit dhe në kodrën e Dhërmiut. Sipas saj, do të bëhet hotel, shtëpi private pushimi dhe disa bare dhe restorante. Prona ku do të bëhet kompleksi është private dhe ka një sipërfaqe totale prej 6646 m².

“Koncepti përdor elementë të riinterpretuar për një kontekst bashkëkohor harqe, lozha, oborre, dhe veranda të mbjell. Vëllimet dhe hapësirat intime midis ndërtesave ngjallin një ndjenjë të ecjes rreth një fshati historik. Oborret, lozhat dhe vendkalimet krijojnë pamje me kornizë të detit dhe ofrojnë hije dhe privatësi në vend” thuhet në dokumente.

Sipas saj, vendi për “In the Wild” është vendosur në një majë të një kodre përballë detit Jon. Konteksti përreth është i populluar nga peizazhe të egra dhe pemë.

Plani Urbanistik si hartë e zhdukjes së fshatit

Plani Vendor Urbanistik i Bashkisë Himarë, i bashkëngjitur në vendimin e KKTU-së, tregon qartë se e gjithë zona e Dhërmiut është parashikuar të betonohet. Nga plazhi deri në kodra, çdo pëllëmbë toke është bërë objekt investimi për komplekse turistike me tre kate e më shumë. Duket qartë se kjo nuk është zhvillim, por kolonizim me beton  një Shqipëri pa shqiptarë, ku vendin e një fshati tradicional e zë një resort me gardhe dhe karta krediti.

Aksioni si mbulesë për përvetësimin e territorit

Nëse ndonjë qytetar mendon se aksioni i IKMT-së ka të bëjë me rend dhe ligj, e ka gabim. Ajo që po ndodh në Dhërmi është zhvendosje e qëllimshme dhe selektive: shkatërrohen shtëpitë e banorëve të vjetër dhe priten shiritat e investitorëve strategjikë. Kjo është një spastrim i butë, por i rrezikshëm  sepse nuk bëhet me dhunë fizike, por me vendime qeveritare, vula dhe firma.

Kush fshihet pas skemës?

Nga njëra anë IKMT që prish pa kthyer kokën pas, nga ana tjetër Bashkia që hesht, dhe më sipër një KKTU që jep leje për vila e resorte në emër të turizmit. Qeveria, bashkia, IKMT dhe investitorët janë pjesë e të njëjtit zinxhir – një aleancë për të kthyer vijën bregdetare në pronë të emrave të njohur për lidhje politike dhe fuqi financiare.

Në Dhërmi nuk po mbrohet ligji. Po bëhet gati shkatërrimi i fundit i bregdetit shqiptar. Dhe kur çdo centimetër të jetë shitur, betonuar dhe gardhuar, do të kuptojmë se “zhvillimi” që na shitën ishte maskë për grabitje.

Publikuar nga Publik Media