Kush mban përgjegjësi për PPP-në e sterilizimit?

PPP-ja e sterilizimit po mbylljet dhe kostoja reale 53% më shumë se kontrata

Nga Landi Çela

Në fillim të vitit 2026 pritet të përfundojë kontrata koncesionare për sterilizimin e sallave kirurgjikale – një nga marrëveshjet më të debatuara të qeverisë “Rama”, e realizuar me Partneritet Publik Privat (PPP).

Kontrata 10-vjeçare e nënshkruar në dhjetor të vitit 2015 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë “Sani Service”, me një vlerë të programuar prej 100 milionë eurosh, rezulton të ketë kapërcyer me shumë kosto çdo pritshmëri. Sipas të dhënave zyrtare, fatura për periudhën 2017-2026 i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 15.3 miliardë lekë, ose 53% më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht në kontratë.

Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se shërbimi do t’i rikthehet shtetit pas përfundimit të afatit, vendimi përfundimtar mbetet në dorë të qeverisë së re që pritet të formohet në shtator. Grupi i monitorimit është ende në punë për të përpiluar raportin përfundimtar, i cili do të shërbejë për vendimmarrje.

Si u krijua PPP-ja e sterilizimit?

Në një kohë kur QSUT kishte investuar miliona euro në një autoklavë moderne që nuk funksionoi kurrë, qeveria vendosi të përfshijë sektorin privat për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale. Në vitin 2018, vetëm tre vite pas fillimit, kostoja për sterilizim doli 28% më e lartë se planifikimi, duke detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të kufizojë ndërhyrjet kirurgjikale të lehta për të ruajtur buxhetin.

Arrestimet e SPAK dhe kontrata që “u zhduk”

Në gusht 2023, Prokuroria e Posaçme (SPAK) firmosi 8 urdhër-arreste për zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të kompanisë koncesionare, të akuzuar për një sërë veprash penale:

  • Shpërdorim detyre,
  • Falsifikim dokumentesh,
  • Korrupsion pasiv, dhe
  • Shkelje të barazisë në tendera.

Një nga momentet më skandaloze ishte zhdukja e kontratës origjinale nga arkivat e Ministrisë së Shëndetësisë. SPAK sqaroi më pas se kishte siguruar një kopje të autentikuar nga institucione të tjera. Gjatë hetimit doli në pah se studimi i fizibilitetit ishte kryer me të dhëna të falsifikuara, duke dëshmuar një skemë të mirëorganizuar për të përfituar para publike.

Sa kushton një operacion?

Sipas kontratës së nënshkruar:

  • Një operacion i ndërlikuar ka një tarifë prej 37.700 lekësh,
  • Një ndërhyrje mesatare kushton 22.300 lekë,
  • Ndërsa një operacion periferik kushton 13.900 lekë.

Këto tarifa, të gjitha të tatueshme me TVSH, paguhen drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Ekspertë të fushës thonë se sterilizimi me autoklavë do të kishte kushtuar shumë më pak, ndoshta më pak se gjysma e 17 milionë eurove që i paguhen çdo vit koncesionarit.

Sterilizimi, shembulli i një modeli të dështuar

PPP-ja e sterilizimit nuk është një rast i izoluar. Ajo është një hallkë më shumë në një zinxhir skandalesh që përfshin koncesionet e inceneratorëve, kontratat në shëndetësi dhe në infrastrukturë. Të gjitha u prezantuan si zgjidhje “moderne” dhe “efikase” për sistemin publik, por në realitet përfunduan në skema të kapjes së shtetit, transferimi të parasë publike tek oligarkët, dhe rrënim të shërbimeve bazë për qytetarët.

Përgjegjësia për këtë kontratë nuk është vetëm ligjore, por edhe politike dhe morale. Kushdo që e firmosi, promovoi dhe mbrojti këtë marrëveshje në emër të “reformës”, duhet të mbajë përgjegjësi para publikut. Kontrata mund të përfundojë në letër, por pasoja e saj ekonomike dhe morale do të zgjasë shumë më tepër.

Publikuar nga Publik Media