Jorgo Goro shtrohet në spitalin e burgut
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është shtruar në ambientet e spitalit të burgut pas shpalljes fajtor dhe dënimit nga Gjykata e Shkallës së Parë. Burime zyrtare konfirmojnë se Goro po trajtohet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ndërsa njëkohësisht ka nisur betejën ligjore për të kërkuar lirimin dhe pafajësinë e tij.
I dënuar me 2 vite e 20 ditë burg, Goro u shpall fajtor për shpërdorim detyre, në lidhje me abuzimet me pronat në vijën bregdetare të Himarës, përfshirë falsifikimin e dokumenteve për tokat në zonën turistike të Gjilekës.
Pavarësisht se ndodhet i shtruar në spital, përmes avokatëve të tij, Goro ka paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të shkallës së parë dhe deklarimin e pafajësisë.
Sot ishte planifikuar mbajtja e seancës për shqyrtimin e çështjes në Apel, por ajo nuk u zhvillua për shkak të mungesës së Goros, i cili nuk ishte në gjendje të paraqitej për shkak të problemeve shëndetësore.
Gjykata pritet të vendosë në ditët në vijim nëse seanca do të shtyhet apo do të zhvillohet në mungesë të tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



