Pak minuta pas nisjes së provimit të lëndës me zgjedhje, tezat e Ekonomisë dhe Fizikës janë përhapur në mënyrë të jashtëligjshme në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe besueshmërinë e procesit të Maturës Shtetërore. Ky incident konfirmon se fenomeni i dekonspirimit po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, duke cenuar rëndë integritetin e një prej momenteve më vendimtare në jetën akademike të çdo nxënësi.
Provimi nisi në orën 10:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 12:30, nën masa të ashpra sigurie të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Megjithatë, masat parandaluese nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndaluar përhapjen e paligjshme të tezave, një fenomen që prej vitesh përbën një plagë të përsëritur në sistemin arsimor shqiptar.
Këtë vit, Ministria kishte zbatuar masa shtesë, përfshirë testet e personalizuara për maturantët me aftësi të kufizuara, me qëllim rritjen e barazisë dhe drejtësisë në qasjen ndaj arsimit të lartë. Por, përpjekjet për të siguruar një proces të drejtë dhe të kontrolluar janë vënë sërish në pikëpyetje nga tentativat për kopjim dhe dekonspirim.