TURIZMI 2025/ Kush po na vjen, kush po largohet?

Shqiptarët e Kosovës u zhgënjyen, polakët dhe spanjollët po na lënë, por ja kush na “do” më shumë

Turizmi në Shqipëri vazhdon të jetë një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, por ritmet e rritjes po zbehen. Të dhënat e fundit nga INSTAT për periudhën janar–maj 2025 tregojnë një tablo të përzier: ndonëse hyrjet janë rritur lehtë me 3.9%, krahasuar me rritjen marramendëse 38% të një viti më parë, disa grupe turistësh po tregojnë shenja të qarta “lodhjeje”.

Shqiptarët e Kosovës nga dashuria në ftohje

Kosovarët mbeten grupi më i rëndësishëm që viziton Shqipërinë, duke zënë 33.7% të totalit të vizitorëve. Por pas liberalizimit të vizave në janar 2024, shumë prej tyre po eksplorojnë destinacione të reja në Evropë – madje duke përdorur edhe aeroportin e Rinasit si pikënisje. Greqia po merr një pjesë të mirë të kësaj “dashurie verore”. Rezultati? Rënie me 6.9% e hyrjeve nga Kosova në 5 mujorin e parë të këtij viti.

Polakët dhe spanjollët nga entuziazmi te zhgënjimi

Edhe polakët, një tjetër grup tradicional i rëndësishëm, kanë shënuar një rënie të ndjeshme prej 8.6%. Arsyeja? Çmimet. Rritja e paketave turistike dhe zhvlerësimi i euros kanë ndikuar në negociatat mes agjencive dhe hoteleve shqiptare. Një pjesë e mirë e polakëve këtë vit kanë zgjedhur destinacione më pranë, si Kroacia, e cila ka parë një rritje të ndjeshme të këtij grupi.

Spanjollët nuk janë më të lumtur: edhe ata kanë “votuar me këmbë”, duke ulur ndjeshëm hyrjet me 7.5% krahasuar me vitin e kaluar. Duket se Shqipëria nuk po i bind më si dikur.

Italianët, gjermanët e francezët, të dashuruarit e rinj

Në anën tjetër të medaljes, ka edhe histori suksesi. Italianët po rrisin ndjeshëm prezencën e tyre në vend – 11.6% e totalit të vizitorëve në janar–maj 2025, me një rritje prej 7.8%. Ata e shohin Shqipërinë si një alternativë të përballueshme për fundjava, pushime të shkurtra, por edhe turizëm miks mes shëndetit dhe biznesit.

Franca dhe Gjermania shënojnë rritje spektakolare – përkatësisht 40% dhe 29% më shumë hyrje në krahasim me një vit më parë. Edhe Zvicra dhe Austria janë në rritje të qëndrueshme me mbi 20%.

Shifra dhe pritshmëri

Deri në fund të majit, Shqipërinë e vizituan 3.4 milionë shtetas të huaj – një rritje modeste prej 1.9% krahasuar me 2024. Vetëm në maj hynë 987 mijë vizitorë të huaj, me një rritje prej 1.4% nga viti i kaluar. Por është e qartë se ritmet janë ngadalësuar. Majin e kaluar, rritja ishte 38%.

Kujdes, Shqipëri!

Ndërsa turizmi vazhdon të jetë një fushë strategjike, këto shifra japin një sinjal: Shqipëria nuk është më “sekreti më i bukur i Evropës”. Ajo duhet të garojë me Kroacinë, Malin e Zi, Greqinë  dhe kjo do të thotë: shërbim cilësor, çmime të arsyeshme, dhe menaxhim serioz. Përndryshe, grupet që sot na “duan” nesër mund të na braktisin. Siç po bëjnë kosovarët. Siç po mërziten polakët. Siç po zhgënjehen spanjollët.

Publikuar nga Publik Media