Dyshime për shkelje dhe favorizim
Pas një kalvari anulimesh, shtyrjesh dhe ankesash, tenderi 750 mijë euro për sistemin e transkriptimit me inteligjencë artificiale në Kuvendin e Shqipërisë është sërish në qendër të një skandali. Vetëm 48 orë pasi u shpall fituesi, procedura është pezulluar për shkak të një ankese të re, e depozituar në Komisionin e Prokurimit Publik nga kompania MC Networking.
Sipas dokumenteve të, MC Networking kundërshton legjitimitetin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke pretenduar se ai është marrë pa u verifikuar plotësisht dokumentacioni teknik i kërkuar dhe në kundërshtim me kriteret e tenderit. Sipas kompanisë, operatori fitues nuk përmbushte disa kushte thelbësore si: xhiro e dyfishtë për shërbime të ngjashme dhe certifikimi i punonjësve.
Fituesi nën dyshim
Tenderi, me vlerë rreth 750 mijë euro, u fitua nga operatori ekonomik “Dega Semos AL”, në bashkëpunim me kompanitë PC Store dhe BitGenius, të cilat angazhohen për furnizimin dhe mirëmbajtjen për 48 muaj të një sistemi transkriptimi të automatizuar, që do të përdorë teknologjinë e inteligjencës artificiale për zbardhjen e fjalimeve në seanca plenare dhe komisione parlamentare.
Qëllimi i projektit është të kursejë kohë dhe burime njerëzore në përgatitjen e procesverbaleve, por gjithë procedura tashmë rrezikon të kthehet në një tjetër histori dështimi institucional, për shkak të dyshimeve të përsëritura për manipulim dhe mungesë garë të ndershme.
Transparenca nën akuzë
Sipas ankesës së MC Networking, janë shkelur standardet bazë të prokurimit publik. Kompania e skualifikuar kërkon anulimin e procedurës dhe nisjen e hetimeve për mënyrën si është vlerësuar oferta fituese, që sipas saj ka marrë pikët maksimale në kushte të paqarta dhe në mungesë të dokumenteve të kërkuara.
Nëse pretendimet vërtetohen, ky do të ishte anulimi i radhës për një tender që është kthyer në sagë burokratike dhe simbol i mungesës së transparencës në administrimin e fondeve publike.
KPP do të vendosë
Komisioni i Prokurimit Publik pritet të shqyrtojë çështjen në ditët në vijim, duke marrë një vendim që do të përcaktojë fatin e tenderit. Deri atëherë, zbardhja e fjalimeve të deputetëve do të vazhdojë të bëhet manualisht, ndonëse korriku është muaji i pushimeve për politikën, pas një fushate të lodhshme dhe rezultatesh të kontestuara.