Qindra mijëra qytetarë e studentë kanë protestuar në Beograd të shtunën, në protestën me të cilën kanë vendosur ultimatum për zgjedhje të reja në Serbi dhe rrëzim të presidentit Aleksandar Vuçiç.
Studentët kanë parashtruar dy kërkesa për qeverinë serbe. Me të parën, kërkohen zgjedhje të parakohshme, kurse me të dytën ndërprerja e tubimit në qendër të Beogradit, ku gjatë tre muajve të fundit kanë bërë kampe mbështetësit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, të cilët kundërshtojnë protestat e studentëve.
Protestuesit kanë shprehur pritjen që kërkesat të përmbushen deri në orën 21:00, por presidenti serb i ka hedhur poshtë. E fiks në orën 21:00, studentët kanë bërë thirrje se “ultimatumi ka përfunduar”.
Në fund të tubimit ka ndërhyrë xhandarmëria serbe dhe dy brigada policie duke sjellë konfrontim me protestuesit. Po ashtu janë hedhur dhe mjete piroteknike dhe flakadanë.
Protestuesit u përplasën me policinë në Parkun Pionirski dhe në Kralja Milan. Ata janë parë duke hedhur shishe, flamuj, shkopinj druri e flakadanë drejt zyrtarëve policorë. Mediat serbe raportojnë se një polic ka mbetur i lënduar.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, i ka dënuar ashpër “sulmet e pjesëmarrësve në marshin në sheshin Sllavija ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme”. Ai ka thënë se do t’i ndërmarrë të gjitha masat për të rikthyer rendin publik dhe që të gjithë ata që e kanë sulmuar policinë do të ndiqen penalisht.
Për më shumë se shtatë muaj, studentët kanë organizuar protesta në të gjithë Serbinë, duke kërkuar të mbahet përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës së betonit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.