SKANDALI I PLEHRAVE NË ELBASAN

8 Bashki, miliona lekë për një incenerator që s’punon

Nga 10 zyrtarët e thirrur nga prokuroria e Elbasanit lidhur me hetimet për dosjen nr. 1417, vetëm 3 janë paraqitur të premten për të dhënë shpjegime përpara Oficerit të Policisë Gjyqësore. Të tjerët pritet të paraqiten gjatë javës në vijim.

Dosja voluminoze, e cila u hap në vitin 2024 për akuzat “Shpërdorim detyre” dhe “Menaxhim mbetjesh”, ka hyrë tashmë në një fazë të re. Hetimet janë përqendruar tek marrëdhëniet kontraktuale dhe financiare mes bashkive të qarkut Elbasan dhe kompanisë së menaxhimit të mbetjeve “ECO-ELB”, e administruar nga Leli Kraja.

Me urdhër të prokurorit të çështjes, janë thirrur drejtues juridikë dhe financiarë të bashkive Elbasan, Gramsh, Librazhd, Përrenjas, Cërrik, Belsh, Peqin dhe Rogozhinë, për të dhënë sqarime mbi kontratat dhe transaksionet financiare me kompaninë “ECO-ELB”.

Kontrata me “ECO-ELB”: 4 shërbime, vetëm 3 të kryera

Kontrata mes bashkive dhe kompanisë “ECO-ELB” parashikon ofrimin e 4 shërbimeve: pranimin, grumbullimin, trajtimin dhe djegien (incenerimin) e mbeturinave urbane në impiantin e Elbasanit.

Ndërsa tre të parat janë realizuar, procesi i incenerimit – për të cilin bashkitë paguajnë me miliona çdo vit – rezulton të jetë inekzistent për pjesën më të madhe të kohës.

Sipas hetimeve, në vitin 2022 impianti ka funksionuar vetëm 24 ditë; në 2023 për rreth 7 muaj; ndërsa gjatë gjithë vitit 2024 dhe pesëmujorit të parë të vitit 2025 nuk ka funksionuar fare. Justifikimi? Impianti ka pasur difekte të vazhdueshme teknike.

Pagesa për “shërbime fantazmë”: 668 transaksione për djegie që s’u bë kurrë

Megjithatë, pagesat nga bashkitë nuk janë ndalur. Përkundrazi, vetëm Bashkia Elbasan ka kryer 239 transaksione bankare drejt “ECO-ELB”, me një vlerë totale mbi 2 miliardë e 442 milionë lekë të vjetra, për një shërbim që, në pjesën më të madhe të kohës, nuk është ofruar.

Në total, 8 bashkitë e qarkut Elbasan kanë realizuar 668 transaksione bankare me një vlerë të përgjithshme prej qindra milionë lekësh për djegien e mbetjeve – një proces që, sipas prokurorisë, nuk është kryer ashtu siç parashikohej në kontratë.

Prokuroria heton: Shkelje penale apo skemë mashtrimi?

Prokuroria e Elbasanit po shqyrton në detaje mënyrën se si janë hartuar kontratat, kush i ka firmosur, dhe përse janë kryer pagesa të vazhdueshme për një shërbim që nuk u ofrua.

Nëse provat përforcojnë dyshimet e ngritura, kjo çështje mund të çojë në ndjekje penale për zyrtarë të nivelit të lartë në të gjitha bashkitë e përfshira. Hetimet pritet të zgjerohen edhe në drejtim të rolit të kompanisë “ECO-ELB” dhe administratorit të saj.

Në një vend ku miliona euro dalin çdo vit nga buxheti i bashkive për inceneratorë që nuk digjin gjë, pyetja është e vetme: kush i dogji paratë e shqiptarëve? Dhe pse heshtin institucionet që duhet të garantojnë llogaridhënie?

Publikuar nga Publik Media