Zjarr mbi plehra, tym mbi qytetarë!

Elbasani digjet sërish, ndërsa “Eco Alb” vjedh miliona pa inceneruar asgjë

Prej më shumë se 10 orësh, Elbasani po përmbytet nga flakët dhe retë toksike të tymit që ngrihen nga fusha e mbeturinave, aty ku duhej të funksiononte një incenerator modern. Në vend të teknologjisë, kemi një krim mjedisor që përsëritet prej vitesh me të njëjtën skemë: zjarr, tym dhe harresë.

Zjarrfikësit nga disa qytete, ushtria, makineri e shkumë industriale janë mobilizuar për të vënë nën kontroll flakët që nuk ndalen. Por përse digjen mbeturinat në mënyrë të përsëritur? Përgjigjja është e thjeshtë dhe e tmerrshme: sepse nuk ka incenerim. Sepse pas asaj fushe të djegur qëndron një mashtrim shumëmilionësh i quajtur “Eco Alb”.

Kjo kompani, e krijuar nga bashkitë e qarkut Elbasan për të menaxhuar mbetjet urbane, ka përfituar rreth 9 milionë euro fonde publike, por pa ndërtuar apo përdorur ndonjë incenerator funksional. Mbetjet thjesht digjen – në mënyrë të qëllimshme – për të “pastruar” zonën dhe për të justifikuar shpenzimet. Qytetarët e Elbasanit kanë paguar taksa për një shërbim që nuk është kryer kurrë, ndërsa ajri që thithin sot është helm për mushkëritë e tyre.

Kjo nuk është hera e parë që fusha e mbeturinave merr flakë në Elbasan. Zjarret janë kthyer në ritualin e pastrimit të dështimit, ndërsa institucionet heshtin. Jo vetëm Elbasani: edhe Kukësi, Vlora, Fieri, e zona të tjera raportojnë zjarre të njëpasnjëshme në landfille, duke ngritur seriozisht dyshimin se kemi të bëjmë me një skemë të qëllimshme, të mirorganizuar, me përfitues të qartë.

Në rastin e Elbasanit, flakët kanë përfshirë masën e thellë të mbeturinave dhe po mbështillen vetëm me fadroma dhe dhe nga lumi Shkumbin. Po përdoret shkuma, por çdo minutë që kalon, zjarri riaktivizohet dhe rrezikon jo vetëm mjedisin, por edhe jetën e banorëve përreth. Re toksike tymi ngrihen mbi qytet dhe askush nuk ka guximin të thotë të vërtetën në publik: që kjo është një krim i organizuar mjedisor, i financuar nga taksat dhe i mbuluar politikisht.

Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret, Arben Cara, e pranoi hapur: infrastruktura mungon, ndërhyrja është e vështirë, situata nuk kontrollohet dot. Por askush nuk guxon të përmendë faktin më themelor: se në Elbasan nuk ka incenerator funksional, por vetëm një kompani fantazmë që i merr paratë shtetit dhe i lë qytetarët në helm.

Ka ardhur koha që kjo skemë të marrë fund. Nuk mund të vazhdohet më me justifikime dhe heshtje. SPAK dhe institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë pa vonesë. Mbi këtë situatë rëndon jo vetëm një përgjegjësi penale, por edhe një krim ndaj shëndetit publik dhe brezave të ardhshëm.

Në vend të inceneratorëve, kemi vetëm tym. Në vend të teknologjisë, kemi zjarr. Në vend të pastrimit, kemi mashtrim. Në vend të drejtësisë një heshtje kriminale.

Publikuar nga Publik Media