Kryeministri Edi Rama po zhvillon një bashkëbisedim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor, me qëllim dëgjimin e problemeve dhe ideve të tyre, si dhe ngritjen e një ure bashkëpunimi në kuadër të rrugës drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Ai theksoi se gjatë diskutimeve sporadike deri tani janë nxjerrë në pah çështje që shpesh kanë qenë jashtë vëmendjes së institucioneve, dhe që megjithëse në pamje të parë dukeshin të thjeshta, janë me rëndësi për sektorin.
“Arsyeja përse jemi mbledhur këtu ka të bëjë me nevojën për të dëgjuar nga më afër dhe në mënyrë më të strukturuar këndvështrimet tuaja sipas fushave të aktivitetit në këtë territorin e hapësirën e madhe të zhvillimit rural, ku gjatë të gjithë periudhës së fundit të kontakteve intensive me njerëzit në fshat, për shkak të procesit elektoral kemi krijuar ndjesinë që jemi në nevojën për t’u afruar më shumë e për të dëgjuar më shumë nga jeta e përditshme reale nga njerëzit që punojnë e zhvillojnë aktivitetin e sipërmarrjes në fshat.
Në mënyrë sporadike kemi mundur të informohemi për gjëra që në pamje të parë janë shumë të thjeshta, port që janë fatkeqësisht jashtë rrezes së vëmendjes dhe leximit nga ana jonë.
Është gjithë kjo ditë përpara për të folur me detaje, por dua të them që arsyeja pse e kemi ndërtuar këtë diskutim e tryezë në një formë tjetër nga ato të zakonshmet, është që diskutimi të shtrihet në çdo detaj dhe opinioni juaj të mund të shtjellohet plotësisht në një hapësirë informale, pasi kjo me sa kuptoj ka munguar dhe mungon. Patjetër që pas këtij diskutimi do të mundohemi të gjejmë rrugët se si kontakti i vazhdueshëm të jetë më i frutshëm, më garantues për dëgjimin e zërit tuaj dhe më i dobishëm në funksion të vendimmarrjeve dhe politikave tona”, tha ai.