Kandidatja e Partisë Socialiste për deputete në qarkun e Vlorës, Ina Majko, është emëruar zyrtarisht zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Vendimi është firmosur sot nga Këshilli i Ministrave, duke i dhënë fund pritjes së premtuar nga vetë Kryeministri Edi Rama gjatë fushatës së 11 majit.
Majko, e cila nuk arriti të siguronte mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare, i është bashkuar tashmë kabinetit qeveritar, duke zëvendësuar Niko Hykën, i cili u shkarkua sot me një tjetër vendim qeverie.
Kjo lëvizje vjen si përmbushje e angazhimit të Kryeministrit, i cili gjatë fushatës u shpreh publikisht se Ina Majko, nëse nuk fitonte mandatin e deputetes, do të ishte gjithsesi pjesë e ekzekutivit:
“Edhe unë jam shumë krenar që për herë të parë Partia Socialiste bëhet promotore e një kandidature nga komuniteti rom. Një vajzë nga Delvina, e shkëlqyer, e cila përfaqëson gratë dhe vajzat e margjinalizuara. Jo vetëm që mund të jetë një zë shumë i nevojshëm në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe nëse nuk do të jetë në Kuvend, patjetër që do të jetë një zë në qeverisjen tonë të mandatit të ardhshëm.”
Ina Majko vjen nga komuniteti rom dhe konsiderohet një figurë e angazhuar në çështjet e barazisë dhe integrimit. Emërimi i saj në një dikaster kaq të ndjeshëm si Shëndetësia shihet si një hap simbolik, por edhe politik për të rritur përfaqësimin e grupeve të margjinalizuara në institucionet qendrore.
Megjithatë, vendimi pritet të ngjallë debat në opinionin publik, për faktin se emërimi i saj u parashtrua si “kompensim” për dështimin në zgjedhje, duke ngritur pyetje mbi transparencën dhe meritokracinë në përzgjedhjen e funksionarëve të lartë të administratës.