Rama zbret në Vlorë: Vizitë urgjente në Bashki pas përplasjes me Dredhën për plehrat dhe zjarret
Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë të papritur këtë të enjte në Bashkinë e Vlorës, ku është pritur nga kryebashkiaku Ermal Dredha. Burime për mediat bëjnë me dije se paraditen e sotme, Rama është paraqitur në ambientet e bashkisë për një mbledhje me stafin drejtues të institucionit vendor, ku në fokus kanë qenë problematikat më të mprehta që prekin jetën e përditshme të qytetarëve vlonjatë.
Pjesë e këtij takimi, përveç administratës së bashkisë, kanë qenë edhe deputetët dhe ish-deputetët e qarkut Vlorë. Diskutimet janë përqendruar mbi tre sfida madhore që po rëndojnë jetesën dhe imazhin e qytetit: mungesa e ujit të pijshëm, kanalizimet e amortizuara dhe menaxhimi skandaloz i mbetjeve urbane.
Në pamjet që po qarkullojnë, kryeministri shihet me bllok në dorë, i përqendruar në bisedë me kryebashkiakun Dredha, të cilin e përshëndet me një shtrëngim duarsh, por me një qëndrim evidentisht të ftohtë. Vizita e sotme vjen pak javë pas përplasjes së bujshme mes Ramës dhe Dredhës gjatë festimeve për 34-vjetorin e Partisë Socialiste më 19 qershor.
Në selinë rozë, gjatë festës me “senatorët” socialistë dhe figurat e reja të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, burime nga brenda PS kanë konfirmuar se Rama ka “tërhequr veshin” kryebashkiakut Dredha për dështimin në menaxhimin e situatës me mbetjet urbane dhe veçanërisht për zjarrin që përfshiu fushën e mbetjeve në Vlorë disa javë më parë. Pamjet e asaj dite tregojnë një kryeministër të irrituar dhe një Dredhë që dëgjon i heshtur, me duart kryq, një bisedë me tone të ashpra.
Zjarri në fushën e mbetjeve ishte një kambanë alarmi jo vetëm për qeverisjen vendore, por edhe për imazhin e qytetit gjatë sezonit turistik. Situata e rënduar në Orikum dhe mbetjet e hedhura pa kriter pranë rrugës së By Pass-it të Vlorës kanë shkaktuar zemërim publik dhe reagime të forta në rrjetet sociale.
Vizita e sotme e Ramës, e shoqëruar nga bisedime të mbyllura me stafin e bashkisë, shihet nga analistët si një përpjekje për të rikuperuar kontrollin dhe për të dhënë mesazhin se dështimet në terren nuk do të tolerohen, sidomos në një qark si Vlora që përfaqëson një bastion të rëndësishëm politik për Partinë Socialiste.