TRADHTI KOMBËTARE ME NAFTËN SHQIPTARE!

20 VJET GRABITJE, ASNJË TAKSË NË SHTET!

Në një nga aktet më të rënda të tradhtisë kombëtare në historinë e pas ‘90-ës, Shqipëria – një vend me rezerva të mëdha natyrore të naftës – është vjedhur, shpërfytyruar dhe grabitur nga kompanitë e huaja dhe nga politikanët e saj të korruptuar.

Ndërsa qytetarët shqiptarë e blejnë sot naftën më shtrenjtë se 95% e popujve të Europës, ndërsa fermat mbyllen, bizneset mbyten dhe qytetarët ndëshkohen për 5 litra naftë, fushat naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe Fierit janë shfrytëzuar për 20 vjet pa i dhënë shtetit shqiptar asnjë taksë!

Po, e lexuat drejt: zero taksa, zero tatime, zero përfitim për shtetin shqiptar.

Kjo është arsyeja pse Bankers Petroleum është simboli i grabitjes moderne me leje shtetërore – një kompani që, sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën kolosale prej 532 MILIARDË lekësh nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, por ka rezultuar në humbje çdo vit, duke shmangur çdo detyrim tatimor ndaj shtetit shqiptar.

Për 20 vite me radhë, një skemë kriminale është toleruar, heshtur dhe mbrojtur nga pushteti politik, me justifikime qesharake dhe marrëveshje të fshehta.

Një burektore në periferi të qytetit kontrollohet nga 5 institucione. Por një kompani që përpunon qindra milionë dollarë në vit, nuk u kontrollua kurrë nga askush!

Kjo nuk është më thjesht mungesë përgjegjësie. Kjo është tradhti kombëtare!

I dhanë kompanive të huaja fushat e naftës shqiptare.

Shkatërruan rafineritë tona.

Varrosën përfundimisht industrinë përpunuese.

Na bënë skllavë të çmimit të bursave ndërkombëtare, ndërkohë që kemi naftën tonë!

Madje edhe në ditët më të errëta të mbretërimit të vet, Ahmet Zogu kishte kontrata më të dobishme për vendin se ato që nënshkruan qeveritë “moderne” shqiptare me Bankers dhe pasuesit e saj.

Prokuroria deklaron se më në fund, në fund të vitit 2024, janë vendosur masa sigurie për disa prej përgjegjësve të kësaj masakre ekonomike: H.X, L.Ç, L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A. Por lista e të implikuarve është shumë më e gjatë – dhe çdo shqiptar i ndershëm e di këtë.

Nuk mjaftojnë inicialet. Nuk mjafton vonesa. Nuk mjafton as ndëshkimi i vonuar.

Këta janë emra që duhet të ishin në burg prej vitesh – jo të fshihen pas shkronjave si L.Ë apo M.I. Duhet të digjen në të njëjtin landfill ku u zhdukën edhe miliardat e këtij vendi – landfillin e Elbasanit!

Për 20 vjet shqiptarët janë vjedhur, mashtruar dhe përdorur si mbulesë për një mega-aferë që do të hyjë në historinë e këtij vendi si shkelja më e rëndë ndaj pasurisë kombëtare.

Mjaft me heshtjen!

Mjaft me buzëqeshjet diplomatike që mbulojnë tradhtinë!

Mjaft me politikën që përfiton dhe popullin që paguan!

Publikuar nga Publik Media