E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Salillari u prish në pazar apo mashtroi për tenderin e burgut Kukës
Lajme

Salillari u prish në pazar apo mashtroi për tenderin e burgut Kukës

Një tjetër skandal me firmën e preferuar të pushtetit, “Salillari”, është duke u heshtur, pavarësisht përmasave dhe implikimeve të mundshme korruptive. Një tender me vlerë 5.3 milionë euro, dhënë në mënyrë flagrante vetëm një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, është anuluar në mënyrë të beftë nga e njëjta Drejtori që e shpalli.

Më 12 maj 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e drejtuar nga Klevis Qose, shpalli fituese firmën “Salillari” në tenderin për “Projektimin dhe ndërtimin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Kukës”. Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Publik.al, “Salillari” ishte i vetmi ofertues, me një ofertë sa 99.9% e fondit limit – një sinjal i qartë se tenderi ishte paracaktuar.

“Garë” me një garues: Skemë klasike e tenderëve të manipuluar

Tenderi ishte i majmë, oferta e vetme ishte thuajse identike me fondin limit, ndërsa firmat e tjera u skualifikuan në mënyrë të dyshimtë. Dokumentacioni zyrtar konfirmon se “Salillari” u shpall fitues dhe brenda pesë ditëve duhej të dorëzonte sigurimin e kontratës. Por në vend të kontratës, vjen anulimi.

Më 14 korrik 2025, Drejtoria e Burgjeve njoftoi se tenderi anulohej me justifikimin se “asnjë nga ofertat nuk përputhej me kriteret e përcaktuara”. Por kjo bie ndesh me faktin se “Salillari” ishte shpallur fitues dhe kërkohej të depozitonte sigurimin e kontratës.

Çfarë ndodhi në këto dy muaj? Kush e ndaloi kontratën? Kush urdhëroi anulimin?

Pyetjet janë të shumta dhe të rëndësishme:

  • A ka paraqitur firma “Salillari” dokumente të rreme apo të falsifikuara?
  • A është konstatuar shkelje në dokumentacion gjatë kontrollit të brendshëm apo të mëvonshëm?
  • A është ndërhyrë politikisht për ta shpëtuar nga një procedurë që mund të shpërthente në skandal më të madh?
  • Përse u lejua shpallja fitues e një firme që, sipas anulimit, nuk përmbushte kriteret?

Të gjitha këto përbëjnë indicie të qarta për shkelje të rëndë të ligjit të prokurimeve publike, si dhe mundësi të qarta për hetim penal nga SPAK ndaj zyrtarëve të përfshirë.

Salillari Firma e koncesioneve të errëta dhe tenderëve të dyshimtë

Nuk është hera e parë që “Salillari” përfshihet në tendera të dyshimtë. Nga koncesionet e rrugëve e deri tek kontratat e rënda për gërryerje lumenjsh, firma ka marrë qindra milionë euro nga taksat publike, kryesisht me procedura të kontestuara, oferta të pakonkurrueshme dhe projekte me mungesë transparence.

Rasti i Burgut të Kukësit shton një tjetër hallkë në zinxhirin e kontratave të errëta ku “Salillari” duket se ka qenë më shumë aktor politik se ekonomik.

Pse hesht SPAK?

Në një kohë kur SPAK ka nisur hetime për tendera me shifra më të ulëta dhe kompani më pak të ekspozuara, mungesa e veprimit për këtë rast është alarmuese. Hetimi për këtë rast nuk kërkon shumë  dokumentet janë publike dhe faktojnë qartë një proces të ndotur dhe tërësisht të manipuluar.

Publik.al i bën thirrje institucioneve të drejtësisë të mos mbyllin sytë para një afere që përveçse ka erë të rëndë korrupsioni, nxjerr zbuluar edhe një model të përdorur shpesh: Tender  Fitues i vetëm, Ofertë në kufi Anulim i papritur.

Kjo nuk është procedurë administrative kjo është skemë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.