Rama privatizon kalanë e Rozafës dhe Lëkursit
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur dy procedura për dhënien me qira 20-vjeçare të hapësirave brenda Kalasë së Rozafës në Shkodër dhe Kalasë së Lëkurësit në Sarandë. Në emër të asaj që qeveria e quan “rijetësim të trashëgimisë kulturore”, dy pasuri të shpallura monument kulture do të kalojnë në shfrytëzim privat për ambiente shërbimi.
Në rastin e Kalasë së Lëkurësit në Sarandë, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 862 m², e pozicionuar në një zonë të veçantë arkeologjike mbi majën e një kodre. Kalaja, e cila gëzon statusin “pasuri kulturore” sipas urdhrit nr. 482, datë 1.8.2023, si dhe VKM-së nr. 730, datë 13.12.2023, është pjesë e një zone të mbrojtur që përfshin gjithashtu Manastirin e 40 Shenjtorëve dhe rrënojat e fshatit Lëkurës.
Ndërsa në kalanë e Rozafës, është përcaktuar një sipërfaqe prej 196.2 m², në oborrin e tretë të kalasë, gjithashtu me status “pasuri kulturore” që nga viti 1948 dhe e përforcuar me vendime të mëvonshme deri në VKM-në nr. 788, datë 18.12.2024. Edhe kjo është pjesë e zonës arkeologjike A dhe B të qytetit të Shkodrës.
Qeveria kërkon nga subjektet aplikante persona fizikë ose juridikë të dorëzojnë një sërë dokumentesh, mes të cilave: projektin e rijetësimit, planin e zhvillimit të territorit, dokumentacion mbi eksperiencën e mëparshme, gjendjen financiare, garanci bankare prej të paktën 10% të vlerës së projektit, si dhe një xhiro mesatare vjetore prej 50% të vlerës së investimit të propozuar për tre vitet e fundit.
Ky proces vjen në një kohë kur qeveria është kritikuar për tendencën e saj për të kaluar pasuritë publike nën menaxhim privat, në emër të “zhvillimit”, por shpesh në funksion të klientelës së afërt me pushtetin.
Pas kalasë së Bashtovës, Apollonisë dhe Butrintit, tashmë është radha e Rozafës dhe Lëkurësit. Historia po përsëritet: në emër të “kulturës”, trashëgimia po komercializohet. Kështjellat që dikur mbroheshin me armë, sot mbrohen me tenderë dhe letra bankare. Dhe fiton ai që ka më shumë miq… jo domosdoshmërisht ai që ka më shumë ide.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



