Një thikë më shumë në zemrën e shoqërisë
Naim Noka
Rasti tronditës i Maqellarës është shumë më tepër se një kronikë e zezë. Është një alarm i fortë që bie për një plagë të thellë dhe të heshtur të shoqërisë shqiptare: shëndeti mendor. Kur djem të rinj, të arsimuar, mbeten në errësirën e papunësisë dhe vetmisë, pa asnjë sistem mbështetës, jemi të gjithë bashkëfajtorë për shpërthime të tilla tragjike.
Shteti shqiptar e ka lënë shëndetin mendor në fund të prioriteteve. Nga mungesa e psikiatërve dhe mbështetjes psiko-sociale në shkolla, te izolimi social i të rinjve, gjithçka është një minë me sahat. Nuk mjafton të themi “kishte probleme mendore” pasi ndodh një tragjedi duhet të kujdesemi kur këto probleme fillojnë, jo kur shpërthejnë.
Nëna e plagosur, një drejtoreshë shkolle, është sot mes jetës dhe vdekjes. Një familje është e shkatërruar. Një komunitet në tronditje. E ndërkohë, institucionet heshtin, ashtu siç kanë heshtur për vite me radhë ndaj atyre që kanë kërkuar ndihmë e nuk e kanë gjetur.
Është koha të kuptojmë se shëndeti mendor është çështje jetike jo luks, jo turp, por urgjencë kombëtare. Para se tragjeditë të ndodhin. Para se thika e rradhës të godasë përsëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



