E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rexh Byberaj favorizon kushëririn një javë pas daljes nga arresti
Lajme

Rexh Byberaj favorizon kushëririn një javë pas daljes nga arresti

Tenderi i rrugës “pa banorë” në Tropojë

Tropojë – Partia Demokratike ka denoncuar sot një tjetër aferë të rëndë korruptive në Bashkinë Tropojë, ku kryetari Rexhe Byberaj, vetëm një javë pas daljes nga arresti shtëpiak, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën për të favorizuar familjarët e tij në një procedurë tenderimi të dyshimtë.

Sipas deklaratës së Klevis Balliut nga selia blu, fitues i tenderit me vlerë 82.9 milionë lekë pa TVSH (99.4 milionë lekë me TVSH) për ndërtimin e rrugës “Auto Kika – Gjarpri i Dragobisë – Qafë Paje” është shpallur një bashkim operatorësh ku gjysma e tij, kompania Vllaznimi shpk, drejtohet nga Bashkim Byberi, djali i xhaxhait të kryebashkiakut Byberaj.

Tenderi, i zhvilluar më 15 korrik 2025 (referencë REF-52709-06-27-2025) dhe i publikuar në Open Procurement Albania, kishte 11 kompani pjesëmarrëse. Por 10 prej tyre u skualifikuan, përfshirë kompani me oferta dukshëm më të ulëta, duke lënë fitues të vetëm bashkimin e BOE GRIALD & INA & VLLAZNIMI me ofertë 63.8 milionë lekë pa TVSH.

“Kemi të bëjmë me një konflikt interesi flagrant, ku procedura nuk ka pasur asnjë lidhje me interesin publik, por vetëm me pasurimin e kryetarit të bashkisë dhe familjes së tij” – tha Balliu.

Rrugë drejt askundit, mes zonave të mbrojtura

PD thekson se projekti nuk ka asnjë prioritet zhvillimor për Tropojën. Rruga kalon përmes Parkut Kombëtar të Valbonës dhe Parkut Natyror të Lumës e Gashit, zona të mbrojtura ku rrezikohet dëmtimi i rëndë i florës dhe faunës.

Destinacioni final është fshati Bradoshnicë, një vendbanim i braktisur prej vitesh, pa banorë të përhershëm dhe që përdoret vetëm gjatë verës.

Ndërkohë, qyteti i Bajram Currit vazhdon të ketë mungesë uji të pijshëm, kanalet vaditëse janë të degraduara, dhe fshatra të banuara mbeten pa rrugë të kalueshme.

PD: Tenderi si shpërblim pas lirimit nga burgu

Opozita e cilëson këtë vendim si “shpërblim” për kryebashkiakun pas lirimit nga arresti, duke kujtuar se Bashkia Tropojë është e zhytur në borxhe, por ka angazhuar fonde për tre vite me radhë për një rrugë që “çon tek askush”.

PD i bën thirrje SPAK-ut, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Komisionit të Prokurimit Publik që të hetojnë menjëherë këtë aferë, të ndalojnë dëmtimin e pasurisë natyrore dhe të ndëshkojnë çdo zyrtar që abuzon me fondet publike për interesa familjare e klienteliste.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.