Gramshi dhe Jugu i Shqipërisë nën flakë
Banorët refuzojnë evakuimin, qeveria nis operacionin emergjent ajror
Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një tjetër thirrje urgjente për banorët e fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë në Gramsh që të lënë menjëherë banesat, pasi zjarret po përparojnë me shpejtësi dhe rrezikojnë jetën e tyre. Megjithatë, burime në terren raportojnë se disa banorë po kundërshtojnë evakuimin, duke qëndruar pranë shtëpive të tyre për të mbrojtur pronën.
Situata në Gramsh është vetëm një pjesë e panoramës dramatike në mbarë vendin: gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 50 vatra zjarri, nga të cilat 19 vijojnë aktive. Jugu mbetet zona më problematike, me flakë që kanë përfshirë edhe zona të mbrojtura si Parku i Syrit të Kaltër, “Rëzoma” dhe pyjet e Kolonjës e Gjirokastrës.
Në operacionet e shuarjes po marrin pjesë mbi 1 mijë forca tokësore dhe dhjetëra mjete zjarrfikëse, të mbështetura nga ajri me avionë dhe helikopterë nga Shqipëria, Greqia, Çekia, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Vetëm në Parkun e Syrit të Kaltër, 90 efektivë dhe disa mjete të Forcave të Armatosura po luftojnë flakët me ndihmën e 2 avionëve PZL grekë, 1 helikopteri çek dhe 1 sllovak, ndërsa sot pritet edhe ndërhyrja e një Black Hawk nga Emiratet.
Në Berat, vatra të fuqishme janë afruar pranë banesave në Poliçan dhe Rehovë, duke detyruar evakuimin e banorëve. Po ashtu, në Tiranë zjarret në Ibë, Damjan dhe Ferraj po përhapen shpejt, duke rrezikuar banesa. Autoritetet paralajmërojnë se terreni i thyer malor dhe temperaturat ekstreme deri në 41°C po e bëjnë situatën kritike.
Sipas IGJEUM, rreziku i përhapjes së zjarreve është “shumë i lartë” në disa zona të Shkodrës, Lezhës dhe Elbasanit. Qeveria i bën thirrje qytetarëve të raportojnë menjëherë çdo vatër dhe të bashkëpunojnë për evakuim, pasi çdo minutë mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes.
Flakët po konsumojnë jo vetëm pyje dhe shkurre, por edhe banesa, stalla dhe sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore. Nëse situata nuk vihet nën kontroll në orët në vijim, ekspertët paralajmërojnë për një katastrofë të përmasave të mëdha mjedisore dhe ekonomike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



