E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vetëm 5  minuta frikë dhe një vend në koma
Lajme

Vetëm 5 minuta frikë dhe një vend në koma

 

Pesë minuta. Sa zgjat një spërkatje parfurmi, një spot reklame, një cigare e nxituar. Ka mjaftuar kaq që Parlamenti shqiptar të shndërrohet në një sallon kukullash, ku çdo tel është në dorën e një njeriu të vetëm. Programi i qeverisë u “miratua” më shpejt se një status në Instagram. Jo sepse kishte argumente të pathyeshme, por sepse frika qarkullon më shpejt se çdo fjalë.

Këto nuk ishin pesë minuta demokracie ishin pesë minuta servilizmi ceremonial. Një skenë e frikshme ku deputetët heshtin si figurina prej dylli, ndërsa kryeministri sheh me një buzëqeshje që fsheh panikun. Sepse nuk është frika e tyre që po e mban këtë shfaqje gjallë, por frika e vetë Edi Ramës. Frika se çdo debat do t’i heqë petkun e propagandës; se çdo mikrofon i pakontrolluar do t’i kujtojë inceneratorët, koncesionet mafioze, tenderat e ndarë si plaçkë lufte.

Rama nuk po qeveris më  po mbijeton. Ai nuk sheh më institucionet si partnerë, por si pengesa. Nuk sheh më qytetarët si sovranë, por si bezdi. Nuk sheh gazetarët si kritikë, por si rrezik. Dhe mbijeton duke kontrolluar çdo fije: parlamentin, median, drejtësinë, ekonominë, madje edhe narrativën e frikës. Sa më shumë flet me përçmim, aq më shumë shfaqet si një udhëheqës që dridhet brenda këmishës së vet.

Arroganca e tij është maska e trashë e një paniku që gërryen çdo ditë. Pak minuta votim janë pasqyra ku shihet qartë ky panik: një shenjë se demokracia nuk është më në krizë, por në koma. Ky vend nuk komandohet nga vizioni, por nga tmerri i një njeriu që kërkon të shpëtojë veten  dhe bashkë me të, gjithë ata që e kanë mbajtur në pushtet me blerje votash, trafiqe e dhunë.

Pesë minuta nuk janë thjesht rekord i shpejtësisë parlamentare; janë akti i fundit i një teatri ku demokracia është thjesht fasadë. Shqipëria ka nevojë për liri, jo për spektakël. Ka nevojë për drejtësi, jo për monologje. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për guxim: guximin për t’u përballur me frikën që sot mban peng një komb të tërë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.