Kuvendi mbetet pezull, lëvizja e rradhës nga opozita
Opozita ka vendosur të vonojë përcaktimin e emrave të kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare, pavarësisht se i ka përzgjedhur ata në mbledhjet e fundit të grupit të PD-së.
Ky vendim ka ardhur si pasojë e pakënaqësisë së opozitës ndaj mënyrës se si kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, drejtoi seancën e fundit të votimit të kabinetit të Rama 4.
Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, opozita, e udhëhequr nga nënkryetari demokrat i parlamentit, Agron Gjekmarkaj, e shikoi veprimin e Peleshit si një “sulm” ndaj parlamentarizmit shqiptar.
Sipas Gjekmarkaj, seancat e para të Kuvendit kishin për qëllim të “destrukturojnë” rregulloren dhe të zvogëlojnë hapësirat e opozitës, duke anuluar komisionin e Integrimit.
Në pyetje për kur PD do të çojë emrat e anëtarëve të saj në komisione, Gjekmarkaj tha: “Hap pas hapi. Ne do të drejtohemi në Kushtetuese dhe do t’ju komunikojmë vendimin tanë.”
Ai theksoi se nuk është marrë ende një vendim përfundimtar nga organet e PD-së, por do të njoftojnë median në momentin që vendimi të jetë i qartë.
Nga ana tjetër, Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS-së, e ftoi opozitën të marrë pjesë në komisione dhe të dërgojë emrat përkatës.
Ai sqaroi se komisionet mund të konsiderohen të konstituuara kur shumica është prezente dhe se mund të fillojnë punën edhe pa pjesëmarrjen e plotë të opozitës. Përsa i përket kritikave ndaj Peleshit, Balla theksoi se “kryetari zbaton vetëm rregulloren dhe nuk ka bërë asnjë shkelje.”
Parashikohet që seanca plenare e të mërkurës do i dedikohet miratimit të kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



