Jo vetëm qytetarët, edhe policët investuan në piramidat online
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për skemat piramidale online. Dje u arrestua Ereledio Shebeku, 35 vjeç, i cili dyshohet të jetë organizatori kryesor i skemave për zonën e Divjakës.
Sipas policisë, ai është një nga personat kyç që drejton këto operacione mashtruese, ndërkohë që partnerja e tij është ende në kërkim.
Burime nga Policia bëjnë me dije se bazat e këtyre skemave nuk janë të kufizuara vetëm në Divjakë, por janë shtrirë edhe në qytete të tjera, si Tiranë dhe Lezhë.
Drejtoria e Krimit Kibernetik po heton edhe grupe të tjera më të mëdha të skemave piramidale online që operojnë në këto zona.
Këto grupe kanë mashtruar mijëra qytetarë, përfshirë edhe efektivë të policisë. Burime të besueshme kanë konfirmuar për televizionin A2CNN se qindra inspektorë të policisë në Tiranë dhe Lezhë janë viktima të mashtrimeve, duke investuar para në këto skema piramidale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



