E nisi me propagandë, e mbylli po me propagandë!
Bledian Koka|Opinion|Publik.al
Kjo është fotografia e parë e ditës kur Erion Veliaj vuri këmbë në pushtet, si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në vitin 2013, dhe që nga ai moment vendosa të mos pajtohem me të asnjë ditë. Që atë ditë kam nisur ta neveris si politikan dhe e kuptova se ishte njeriu që, për të arritur qëllimet e veta, nuk e kishte për gjë të mos kursente askënd – madje as fëmijën e gjorë në këtë foto, i cili sot, me shumë gjasë, është bërë një djalë i rritur dhe, po me aq gjasë, asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e tij.
Më pas, Erion Veliaj varrosi për së dyti Ardit Gjoklajn e ndjerë në plehrat e Sharrës sapo u bë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. E vijoi duke ngulur beton pa fund në çdo cep të Tiranës, u bë autor i shembjes së Teatrit Kombëtar, u shndërrua në zgjatim të aferës së inceneratorëve, pasuroi e bëri milioner njerëzit e familjes dhe të tarafit, të cilët sot e braktisën me paratë e qytetarëve të kryeqytetit. Korruptoi çdo artist, gazetar, shkrimtar, mendimtar e këdo që i nevojitej për të mbajtur në këmbë masakrën e tij si “njeriu i punës”, ndërsa në të vërtetë nuk ishte veçse sharlatani i radhës – jo më i madhi, por më i rrezikshmi!
Kurrë në 34 vite politike nuk kam arritur të skalis një rishtar që të rrudhej në fytyrë si ai. Sot, për Erion Veliajn nuk u vu në vend drejtësia njerëzore, por veproi thjesht e drejta e Zotit, që sheh e nuk harron.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



