Mashtroi klientët me 17 mijë euro, pranga administratorit të agjencisë turistike
Policia e Tiranës ka vënë në pranga Ardi Gjuzi, 63 vjeç, administrator i një agjencie turistike, ndërsa bashkëshortja e tij A. Gjuzi, 51 vjeçe, punonjëse e agjencisë, është nën hetim penal, pasi dyshohet se kanë përfituar rreth 17 mijë euro nëpërmjet mashtrimit të klientëve.
Operacioni policor i koduar “Rezervimi” u finalizua pas disa muajsh hetime intensive dhe përdorimi i metodave proaktive nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare Tiranë. Policia njofton:
“Pas administrimit të kallëzimeve nga disa qytetarë për mashtrim nga një agjenci udhëtimi, specialistët e Sektorit kryen hetime intensive dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Rezervimi’. U ndalua shtetasi A. Gj., 63 vjeç, administrator i agjencisë turistike dhe nisi procedimi penal për shtetasen E. Gj., 51 vjeçe, punonjëse e agjencisë.”
Hetimet zbuluan se bashkëshortët përfitonin paratë e klientëve gjatë procesit të rezervimit të biletave dhe akomodimeve, duke i përvetësuar shumën e parave për vete.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprat penale “mashtrimi” dhe “fshehja e të ardhurave”, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



