E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Besa” shqiptare që po vret invetimet e huaja dhe turizmin
Lajme

“Besa” shqiptare që po vret invetimet e huaja dhe turizmin

Analisti Kreshnik Spahiu ngre alarmin për dy ngjarje që tronditën vendin dhe po sfidojnë besimin në drejtësi dhe siguri në Shqipëri.

Përdhunimi i një turisteje italiane 18-vjeçare në Durrës dhe vdekja misterioze e biznesmenit italo-shqiptar në Tepelenë janë dëshmi të një realiteti ku krimi dhe pandëshkueshmëria po mbizotërojnë, ndërsa institucionet heshtin dhe imazhi i Shqipërisë po dëmtohet rëndë.

Spahiu paralajmëron se nëse këto ngjarje trajtohen si normale, Shqipëria do të humbasë edhe njëherë më shumë besimin e investitorëve dhe turistëve, duke u kthyer në një tokë ku sundon errësira dhe pasiguria.

Postimi i plotë:

“Dy italianë, dy viktima: “Besa” shqiptare që po vret invetimet e huaja dhe turizmin.

Tre javë më parë u përdhunua një turiste italiane 18 vjeçare në plazhin e Durrësit e cila u mashtrua nga “besa” dhe mikpritja në Durrës.
Përtej elementëve të tmerrshëm të krimit, ajo që më tronditi më shumë ishin 90% e komentuesve që shkruanin kundër vajzës italiane dhe mbështesnin autorin e krimit që ishte roja e plazhit dhe meqë e kishte gjetur të dehur nga alkoli buzë detit, i “legjitimohej” të bënte çdo gjë me minorenen italiane.

Pa kaluar tre javë…Vdekja e italianit 44-vjeçar, Edoardo Sarchi, administrator i kompanisë italo-shqiptare Tegola Edilcentro, në mes të natës në Salari të Tepelenës, është më shumë se një tragjedi e izoluar. Ajo është një sinjal alarmi, një kambanë që bie mbi një vend ku krimi i organizuar dhe pandëshkueshmëria kanë ndërtuar murin e tyre të hekurt përpara zhvillimit.

Në vend që të flasim për fabrika, punësim dhe investime, jemi sërish dëshmitarë të një skenari të njohur: një biznesmen i huaj i gjetur i pajetë në rrethana të errëta, dëshmi kontradiktore, me disa të shoqëruar dhe të liruar brenda pak orësh, prova të mjegulluara, e mbi të gjitha heshtje nga institucionet. Ngjarja ngjan me një teatër grotesk ku aktorët ndryshojnë versionet e tyre, ndërsa e vërteta mbetet në prapaskenë.

Buznesmeni italianë ishte mysafir dhe ishte ftuar nën besën e ortakve të tij për gjah në zonën e Tepelenës.

Një vend që shoqëria nuk mbron jetën e investitorëve të huaj, nuk mund të pretendojë të mbrojë kapitalin e tyre. Çdo gur që një biznesmen si Sarchi vendos mbi themelet e ekonomisë, rrezikon të shembet në baltën e pandëshkueshmërisë. Shqipëria, në vend që të shfaqet si tokë mundësish, po ngjan gjithnjë e më shumë me një fushë gjahu ku kapitali i huaj bëhet pre e errësirës.

Nga Tepelena deri në Tiranë, nga fabrika e tullave te korridoret e prokurorisë, mbizotëron e njëjta panoramë: mungesë transparence, mungesë përgjegjësie, mungesë drejtësie. Nëse Sarchi vdiq nga një aksident i rastësishëm apo nga një vrasje e planifikuar, kjo ende nuk dihet. Por një gjë është e qartë: mënyra se si shteti shqiptar trajton këtë çështje është po aq fatale sa plaga që i mori jetën.

Çdo investim i huaj që hyn në Shqipëri ngjan me një kështjellë të ndërtuar mbi rërë. Sa herë që krimi sfidon ligjin dhe del i padënuar, themelet e kësaj kështjelle shemben, duke lënë pas vetëm pluhur, gjurmë gjaku dhe frikë.

Por kjo panoramë nuk ndalet te investitorët. Tre javë më parë, turistja italiane 18-vjeçare u përdhunua në një plazh shqiptar – një krim i rëndë, i shoqëruar nga e njëjta heshtje e zakonshme. Ndërsa shteti nuk garanton siguri, shoqëria shqiptare shpesh rrëshqet drejt normalizimit të tmerrit, sikur këto akte të ishin thjesht lajme të përditshme dhe jo plagë që gjakosin imazhin e vendit.

Nëse vrasja e një biznesmeni të huaj dhe përdhunimi i një turisteje trajtohen si episode të zakonshme, atëherë Shqipëria nuk është më një destinacion i investimeve apo turizmit, por një terren ku krimi mbillet dhe heshtja e ujit e bën të lulëzojë.
Ndoshta besa dhe mikpritja shqiptare, janë virtyte që i përkasin shekullit kaluar,” shkruan Kreshnik Spahiu.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.