Sekuestrohet “Lamborghini Urus” në Tiranë, policia zbardh detajet
Policia e Shtetit ka përfunduar me sukses operacionin policor të koduar “Manovra”, i fokusuar në gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtari kriminale.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Sauk–TEG”, u ndalua një automjet luksoz tip Lamborghini Urus, me vlerë rreth 160,000 euro, i drejtuar nga shtetasi S. Sh., 34 vjeç, person me precedentë penalë për disa vepra penale, përfshirë vjedhje përmes përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Nga verifikimet rezulton se automjeti ishte regjistruar në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., dyshohet me qëllim shmangien e gjurmimit të burimit të pasurisë dhe justifikimin e vlerës së tij.
Të dy shtetasit, S. Sh. dhe E. D., janë vënë nën hetim për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Hetimet vijojnë për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të dyshuara në pronësi të S. Sh.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Manovra”, me objektiv gjurmimin e aseteve të përfituara nga krimet.
Sekuestrohet automjeti “Lamborghini Urus” i një 34-vjeçari me precedent për disa vepra penale, ndër to, vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore.
34-vjeçari dyshohet se e kishte regjistruar automjetin me vlerë rreth 160 000 euro, në emër të një kompanie, për të shmangur gjurmimin dhe për të justifikuar vlerën.
Vihen në hetim 34-vjeçari dhe pronari i kompanisë.
Në vijim të operacioneve policore që kanë qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Manovra”.
Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij.
Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas.
Vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.” thuhet në njoftimin e policisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


