E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet historia e 34-vjeçarit, vishej si polic dhe grabiste në Tiranë
Lajme

Zbulohet historia e 34-vjeçarit, vishej si polic dhe grabiste në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor “Manovra”, me synim gjurmimin e aseteve të përfituara nga krimet. Në përfundim të këtij operacioni, u sekuestrua një automjet luksoz “Lamborghini Urus” në pronësi të 34-vjeçarit Sahit Shpataj, i cili rezulton me precedentë penalë, përfshirë vjedhje duke përvetësuar padrejtësisht detyrën shtetërore, sipas burimeve të policisë.

Mediat raportojnë se 34-vjeçari dyshohet ta ketë regjistruar këtë automjet, me vlerë rreth 160,000 euro, në emër të një kompanie, me qëllim shmangien e gjurmimit dhe justifikimin e pronësisë së tij. Për këtë arsye, hetimet kanë përfshirë edhe pronarin e kompanisë së përmendur. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar dhe sekuestruar pasuri të tjera që lidhen me Sahit Shpatajn.

Sipas policisë Sahit Shpataj ndalonte automjetet që kalonin kryesisht në zonën e Kthesës së Kamzës, duke u hequr si punonjës i Policisë së Qarkullimit Rrugor. Ai u kërkonte drejtuesve të mjeteve dokumentet dhe më pas i kërcënonte me pistoletë, duke u marrë shuma të konsiderueshme parash dhe sende të tjera personale.

Njoftimi i policisë sot për sekuestrimin e mjetit luksoz: 

Në vijim të operacioneve policore që kanë qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Manovra”.

Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij.

Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas.Vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.