E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Prokuroria konfiskon 1.8 mln euro pasuri të dyshuara nga trafiku i drogës
Lajme

Prokuroria konfiskon 1.8 mln euro pasuri të dyshuara nga trafiku i drogës

Prokuroria e Fierit ka goditur një tjetër rast të pasurive me origjinë të dyshuar kriminale, duke finalizuar konfiskimin e aseteve me vlerë rreth 1.8 milionë euro në pronësi të shtetasit Arbër Muça. Sipas organit të akuzës, këto pasuri dyshohet se janë krijuar nga veprimtari të paligjshme, kryesisht prodhimi, shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike.

Hetimi pasuror ka zbuluar një mospërputhje të theksuar mes të ardhurave të deklaruara dhe nivelit real të pasurisë së krijuar. Gjithashtu, është konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e aseteve ishin regjistruar në emra të personave të tretë, ndërsa kontrolli dhe administrimi real i tyre ushtronte nga vetë subjekti, me qëllim fshehjen e pronësisë dhe burimit të fondeve.

Me vendim të Gjykatës së Fierit, janë konfiskuar në total 8 pasuri të paluajtshme, përfshirë truall, njësi ndërtimore, apartament dhe vendparkim në Fier dhe Tiranë. Po ashtu, janë sekuestruar 12 automjete, mes të cilave modele luksoze si Lamborghini Urus, Mercedes-Benz G63 AMG, Audi RS Q8 dhe Audi S8, si dhe disa mjete të tjera.

Në kuadër të vendimit gjyqësor janë konfiskuar edhe 6 llogari bankare në euro dhe lekë, me shuma të konsiderueshme monetare, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

Sipas Prokurorisë, janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për zbatimin e masës së konfiskimit, në bazë të legjislacionit antimafia, ndërsa hetimet vijojnë për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Autoritetet theksojnë se goditja e aseteve kriminale mbetet një ndër prioritetet kryesore, me qëllim dobësimin e fuqisë ekonomike të individëve të përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe parandalimin e përhapjes së krimit të organizuar.

Njoftimi i Prokurorise se Fierit: 

Me kërkesë të Prokurorisë Fier konfiskohen 1.8 milionë euro pasuri të paluajtshme, automjete luksoze dhe likuiditete bankare të shtetasit A.M. me burim të dyshuar nga prodhimi, shitja dhe trafiku i lëndeve narkotikeve

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier në përfundim të shqyrtimit gjyqësor procedimi pasuror nr. 3 vitit 2024, u konfiskuan 1.8 milionë euro pasuri të shtetasit A.M., të cilat nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.

Gjatë hetimit pasuror, Prokuroria e Fierit ka kryer një analizë të zgjeruar financiare, nga ku rezultoi ekzistenca e një disproporcioni të konsiderueshëm ndërmjet nivelit të pasurisë së krijuar, zotëruar apo administruar nga subjektet e përfshira dhe kapaciteteve të tyre ekonomike të provuara nga burime të ligjshme.

Nga hetimi rezultuan elemente që krijuan dyshime se disa pasuri, megjithëse ishin regjistruar formalisht në emër të personave të tjerë, kontrolloheshin ose administroheshin faktikisht nga subjektet objekt hetimi, duke shërbyer për maskimin e pronarit real dhe fshehjen e origjinës së fondeve të përdorura.

Në përfundim të shqyrtimit të plotë të provave të administruara gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier vlerësoi se ishin përmbushur kushtet ligjore për vendosjen e masës parandaluese të konfiskimit, dhe Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier vendosi konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit shqiptar të pasurive të mëposhtme:

  1. Pasuri të paluajtshme
  • Pasuri e paluajtshme e llojit njësi, me sipërfaqe 200 m², Fier.
  • Pasuri e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe 210 m², Fier.
  • Pasuri e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe 210 m², Fier.
  • Pasuri e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe 210 m², Fier.
  • Pasuri e paluajtshme e llojit njësi (2 kate), me sipërfaqe ndërtimi 625.1 m², Fier.
  • Pasuri e paluajtshme e llojit njësi, me sipërfaqe 100 m², në lagjen “Kongresi i Përmetit”, Fier.
  • Pasuri e paluajtshme e llojit apartament (3+1), me sipërfaqe totale 127.4 m², Tiranë.
  • Pasuri e paluajtshme e llojit vendparkim, me sipërfaqe totale 30.14 m², në Tiranë.
  1. Automjete dhe mjete motorike të konfiskuara
  • Lamborghini Urus, vit prodhimi 2018;
  • Mercedes-Benz G-63 AMG, vit prodhimi 2020;
  • Audi S8, vit prodhimi 2021;
  • Audi RS-Q8, vit prodhimi 2021;
  • Audi Q7, vit prodhimi 2016;
  • BMW X5, vit prodhimi 2014;
  • BMW X5, vit prodhimi 2007;
  • Volkswagen Touran, vit prodhimi 2013;
  • Mitsubishi L200, vit prodhimi 2014;
  • Mercedes-Benz C220 CDI, vit prodhimi 2001;
  • KIA Carnival, vit prodhimi 2000;
  • Autobus Neoplan, vit prodhimi 2003.
  1. Vlera monetare dhe llogari bankare të konfiskuara
  • Llogari bankare në Euro, në emër të A.M., me gjendje balance 51,945.71 Euro.
  • Llogari bankare në Lekë, në emër të A.M., me gjendje balance 5,327,769.38 Lekë.
  • Llogari bankare në Euro, në emër të A.M., me gjendje balance 1,867.39 Euro.
  • Llogari bankare në Lekë, në emër të A.M., me gjendje balance 405,775.82 Lekë.
  • Llogari bankare në Euro, në emër të E.M., me gjendje balance 1,039.07 Euro.
  • Llogari bankare në Lekë, në emër të E.M., me gjendje balance 6,166.80 Lekë.

Hetimi vijon lidhur me veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ku janë evidentuar po ashtu pasuri të konsiderueshme.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar në zbatimin me prioritet të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 (“ligji antimafia”), duke intensifikuar hetimet financiare dhe pasurore me synim identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që burojnë ose lidhen me veprimtari kriminale.

Prokuroria Fier mbetet e vendosur të intensifikojë goditjen e aseteve kriminale, duke përdorur të gjitha mekanizmat që parashikon legjislacioni në fuqi për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë të paligjshme. Privimi i autorëve nga përfitimet ekonomike të veprimtarisë kriminale mbetet një nga prioritetet kryesore të organit të akuzës, si një mjet efektiv në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe kriminalitetit me përfitim pasuror.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.