E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sherri mes gjimnazistëve, prindërit të alarmuar: Erdha me vrap
Flash

Sherri mes gjimnazistëve, prindërit të alarmuar: Erdha me vrap

Dy ngjarje të rënda kanë tronditur brenda dy ditësh gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e të rinjve në shkolla.

Vetëvrasje e një nxënëseje – dyshohet bullizimi

Të mërkurën, një nxënëse e këtij gjimnazi u hodh nga kati i nëntë i një pallati, duke ndërruar jetë në vend. Sipas bashkëmoshatarëve të saj, vajza kishte shfaqur shqetësime për shkak të bullizimit të vazhdueshëm në shkollë, gjë që dyshohet të ketë ndikuar në vendimin tragjik për t’i dhënë fund jetës.

Përplasje me thika mes nxënësish – tre të plagosur

Të enjten, vetëm një ditë pas ngjarjes tragjike, një tjetër incident i rëndë ndodhi pranë shkollës. Gjatë pushimit të gjatë, në bulevardin “Nënë Tereza”, vetëm pak metra larg ambienteve të gjimnazit, një grup të rinjsh u përfshinë në një konflikt fizik ku u përdorën mjete prerëse.

Si pasojë, tre nxënës mbetën të plagosur, dy prej tyre me dëmtime serioze në brinjë dhe kraharor. Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin e plotë të personave të përfshirë. Ndërkohë, autoritetet kanë deklaruar se dy ngjarjet nuk kanë lidhje mes tyre, pavarësisht afërsisë në kohë dhe vend.

Dëshmi tronditëse nga nxënësit dhe prindërit

Ngjarjet kanë shkaktuar panik mes nxënësve, prindërve dhe stafit pedagogjik. Sipas asaj çka Top Channel raporton se prindërit të shqetësuar shprehën frikën dhe indinjatën për situatën e rëndë në shkollë.

“E pashë në televizor dhe erdha me vrap. Tmerr çfarë bëhet! Jam shumë i shqetësuar,” – u shpreh një prind.

“Këta rrinë me thika, zihen çdo ditë për kot: jo pse më pe, jo për goca…” – tregoi një nxënëse.

“Unë po haja kur ata grushtoheshin dhe nxorrën thikat. Nuk ndërhyra, pse të rrezikoja?” – tha një tjetër nxënës.

Shkolla në kaos, drejtuesit mungojnë

Ndërkohë që situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme, drejtuesja e shkollës nuk ndodhej në institucion, pasi sipas rojes, ishte thirrur në Ministri. Një mësues, që foli në kushte anonimati, shprehu shqetësimin e tij:

“Unë isha në mësim. Por shqetësohem edhe si prind.”

Thyerja e sigurisë në shkolla dhe normalizimi i dhunës në mesin e të rinjve po kthehen në një alarm serioz. Autoritetet arsimore dhe ligjzbatuese pritet të ndërhyjnë urgjentisht për të rikthyer rendin dhe për të ofruar mbështetje psikologjike për nxënësit e prekur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.