Zarf nga SHBA për Ramën? Paralajmëron ish-ministri: Është në hall
Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama ndodhet në një situatë të vështirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, Rama ka marrë një zarf nga autoritetet amerikane, në të cilin i thuhet se është person i padëshiruar.
“Rama e ka një hall. Një prej halleve që ka për Bashkinë e Tiranës, është ta paralizojë Veliajn sa më shpejt të jetë e mundur, jo vetëm politikisht, por edhe në aspektin me drejtësinë. Ky vet pret goditje. Pritet një goditje nga SHBA. Janë dy dosje. Është shumë e vështirë të kesh informacione të sigurta, por shoh realitetin, shoh gjurmët,” u shpreh Ndoka.
Sipas tij, Rama ka kohë që po lobon për një takim me ish-presidentin amerikan Donald Trump, duke qenë i gatshëm të paguajë shuma të mëdha për këtë.
“Rama ka disa muaj që përmes lobingjëve është i gatshëm të paguajë miliona dollarë vetëm për ta takuar Trump-in. Rama ka një hall të madh me SHBA-të. Informacionet thonë që ky e ka marrë një zarf, që je i padëshirueshëm për SHBA-të. Nuk e di nëse është zarfi që i kanë thënë që do shpallesh non grata, apo është frika e tij,” – shtoi ai.
Sa i përket zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës, Ndoka theksoi se është në favor të një kandidati politik që përfaqëson opozitën.
“Padiskutim që jemi pjesë e diskutimeve për kandidatin e Tiranës. Është një standard i ri i vendosur nga PD, ndryshe nga Rama që s’pyet strukturat, madje as vet kandidaten. Ishte një goditje edhe për vet atë, Manastirliun, ku ajo vet ka akuza, probleme me sistemin e shëndetësisë. Ajo zonjë ishte më e papërshtatshmja në ansamblin e hajdutëve që Rama ka rreth vetes. Mund të jetë e përkëdhelura e tij, nesër mund të ketë fatin e Veliajt,” – tha Ndoka.
Ai shtoi se marrëdhëniet me Partinë Demokratike janë normale dhe institucionale, ndërsa përshëndeti përpjekjet për zgjerimin e koalicionit opozitar.
“PD ka një konsultë me aleatët, me çdo parti që e ndjen që është pjesë e opozitës, që e ndjen që përballë kemi një kryeministër që është armik i votës. Marrëdhëniet me PD janë normale, marrëdhënie institucionale. PD po përpiqet ta zgjerojë harkun opozitar dhe ky është lajm i mirë. PD edhe me grupin negociator ka hedhur një hap pozitiv. Tre emrat që kanë dalë, janë publik, njihen nga publiku. Ajo që kam është një vërejtje të karakterit politik. Duhet të rendim drejt një kandidati që ka fituar kauza qytetare dhe politike. Unë gjithmonë jam për një kandidaturë politike, për shkak të përgjegjësisë që ka Bashkia Tiranë,” – përfundoi kreu i PDK-së.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



