E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Topi kundër Begajt: S’do ta firmosja dekretin për zgjedhjet
Flash

Topi kundër Begajt: S’do ta firmosja dekretin për zgjedhjet

Ish-presidenti Bamir Topi është shprehur kundër dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli dekretin për datën e zgjedhjeve për Tiranën më 9 nëntor ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vazhdimësinë e procedurave pas ankimimit të Erion Veliajt. Në studion e Off the Record në A2 CNN, Topi tha se nuk do ta firmoste dekretin nëse do të ishte në detyrën e kreut të shtetit. Sipas tij presidenti Begaj duhet të kishte respektuar vendimin e Gjykatës kushtetuese.

“Jo. Absolutisht jo. Nuk do e kisha hedhur firmën. E kam ndjekur situatën nga dje deri më sot dhe të gjithë politikanët, analistët, gazetarët, juristët dhe konstitucionalistët konvergojnë në një pikë; që nuk i dihet asnjëherë se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese, por kur njofton pezullimin e vazhdimësisë së procedurave, çdo institucion tjetër duke filluar nga presidenti kryeministri e të gjithë institucionet e tjera duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Topi thekson se Begaj në cilësinë e përfaqësuesit të shtetit shqiptar duhet të respektojë dhe të jetë garant i kushtetutës dhe jo të bëhet njësh me shtetin.

“Kreu i shtetit kur merr detyrën duhet të jetë i pari që duhet të respektojë nen për nen, në frymë e gërmë kushtetutën e vendit. Kjo vlen për të gjithë se është pikë referimi i përfaqësimit të shtetit. Nëse Rama përfaqëson pushtetin, shteti përfaqësohet nga kreu i shtetit. Kur pushteti bëhet njësh me shtetin, atëherë më thoni ju kush është garanti. Është një rregull i pranuar e votuar nga të gjithë; për të gjitha konfliktet e marrëveshjet institucionale i takon gjykatës kushtetuese”.

Ish-presidenti sugjeron se kreu i shtetit mund të zgjerojë rrethin e këshilltarëve në momente të caktuara apo kur ka presion politik.

“Presidenti këshillohet me juristët e këshilltarët juridikë. Për rrethana të caktuara e ka mundësinë ta zgjerojë rrethin. Kur ka edhe presion politik presidenti e ka mundësinë”.

“Sa i përket aspektit politik, shikoj që ka një trajtim mizor ndaj Erion Veliajt. Për interesa politike këtu bëhet gjithçka”.

Sipas tij, “kur shkelet neni 115 i Kushtetutës, tregon që pushteti politik ka influencë ekskluzive në institucionet e tjera.

Ne kemi shkuar në një model të një republike të Kryeministrit, kam parasysh edhe atë që ndodhi me modelin e ministres digjitale. Ishte diçka e pazakontë dhe në shumë raste kërkohet dialogim me grupet politike, me grupet e interesit…”, tha Bamir Topi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.