“Berisha, armik i ligjit dhe Kushtetutës, nuk do zgjedhje në Tiranë”
Analisti politik Roland Bejko ka deklaruar se Partia Demokratike nuk ka asnjë mundësi reale për të fituar Bashkinë e Tiranës dhe se kjo është arsyeja pse, sipas tij, ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka interes që të zhvillohen zgjedhjet në kryeqytet.
I ftuar në një intervistë për AbcNews, Bejko theksoi se Partia Socialiste është ende në avantazh, për shkak të organizimit dhe “entuziazmit të pushtetit”, ndërsa PD, e drejtuar aktualisht nga Berisha, nuk gëzon as mbështetje dhe as legjitimitet.
“Berishës nuk i intereson që të ketë zgjedhje në Tiranë. Shanset i ka zero për të marrë Bashkinë e Tiranës. PS është e organizuar dhe ka ende atë entuziazmin e zgjedhjeve të përgjithshme. Ata kanë entuziazëm sepse janë në pushtet. Ndërsa Berisha nuk është dalluar në historinë e tij si një person që respekton ligjin apo Kushtetutën. Ai nuk respekton as statutin e partisë. Ai nuk fiton dot”, – deklaroi Bejko.
Shehaj dhe Lapaj, “instrumente” në duart e Berishës
Bejko komentoi gjithashtu qëndrimin e Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt, të cilët janë shprehur se do të mbështesin kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, kjo është një dëshmi se ata nuk përfaqësojnë vërtet një alternativë të re, por janë përdorur si “instrumente” politike nga Berisha.
“Si Shehaj, si Lapaj, këta kanë qenë instrumente në duart e Berishës, të nxjerrë para zgjedhjeve me qëllim që fluksi i votave anti-Berisha të mos ikte jashtë kontrollit. Para zgjedhjeve pretenduan se ishin parti të reja me vizion të ri dhe refuzuan Berishën. Disa muaj më vonë, u ulën dhe bënë marrëveshje. Në fund, Berisha ia dogji edhe kandidaturën Shehajt”, – u shpreh analisti.
Florjan Binaj “nuk është kandidat i pavarur”
Sa i përket kandidaturës së aktorit Florjan Binaj për Bashkinë e Tiranës, Bejko u shpreh skeptik për statusin e tij si kandidat i pavarur dhe për kapacitetin e tij për të menaxhuar një qytet si Tirana.
“Të thuash se Florjan Binaj është kandidat i pavarur, këtë nuk e pranon askush. Nuk është i provuar dhe nuk dimë sa i aftë është për të menaxhuar Bashkinë e Tiranës. Unë e shoh krejt të pashpresë si kandidaturë”, – përfundoi Bejko.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



