E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Elvis Shkambi nuk e mbushi vetë pistoletën me plumba!
Flash

Elvis Shkambi nuk e mbushi vetë pistoletën me plumba!

Mbledhja e gjyqtarëve e tregoi.

Igli Çelmeta  |Opinion | Publik.al

Sot u mblodhën gjyqtarët e gjithë Shqipërisë. Me kostume firmato, parfume të shtrenjta dhe makina luksoze që mbushnin oborrin e Pol-it të Drejtësisë, dukeshin më shumë si një paradë pasurie sesa si mbledhje për drejtësinë. Të krekosur, flisnin me tone revolte sikur ishin ata viktimat e sistemit, të përndjekurit e një kohe që s’ka më. Flisnin për kushte, për privilegje, për siguri… sikur të ishin njerëzit më të diskriminuar të vendit. Por e vërteta është krejt tjetër: ata janë kasta më e privilegjuar që Shqipëria ka njohur ndonjëherë.

Kur i pashë teksa dilnin nga mbledhja dhe hipnin në makinat e tyre të shtrenjta, më lindi një pyetje e vetme. Ku i gjetët paratë për gjithë këtë luks, o gjyqtarë të drejtësisë shqiptare?
A keni ndonjëherë turp kur flisni për ndershmëri?
A nuk jeni ju ata që lironi kriminelët me mijëra euro nën dorë dhe mbyllni në qeli hallexhiun që nuk ka paguar dritat?
A nuk jeni ju që keni shkatërruar çështjet e pronësisë, që ia keni marrë tokën pronarit të vërtetë dhe ia keni dhënë atij që ka paguar më shumë?
A nuk jeni ju që keni vrarë besimin e popullit, ditë pas dite, dosje pas dosjeje?
Po, jeni ju. Ju jeni llumi që ka ndotur drejtësinë.

Kur po raportoja jashtë gjykatës së Apelit kur kishte pak minuta që kishte ndodhur ngjarja, një zotëri me biçikletë m’u afrua aty pranë dhe po dëgjonte, priti sa mbarova raportimin dhe më tha “Iu prehtë shpirti në paqe gjyqtarit që vranë sepse mund të ketë qenë njeri i mirë dhe gjyqtar i mirë, por më vjen keq që u bë kurban i mesazhit që duhet të marrin këta gjyqtarë hajdutë. Kam 10 vite që endem nëpër gjykata për pronën time dhe e humba, ma mori një njeri me para dhe pushtet që pagoi gjyqtarët. Më vranë nga brenda, jam sëmurë nga padrejtësia që më bënë dhe me duket sikur po vdes çdo ditë nga pak”. Këto ishin fjalët e zotërisë, i cili hipi sërish në biçikletë dhe u largua.

Sigurisht, askush nuk justifikon dhunën. Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja është një akt i rëndë, dhe autori duhet të marrë ndëshkimin maksimal. Askush nuk ka të drejtë t’i marrë jetën një tjetri. Por le të mos bëhemi hipokritë. Plumbat që e vranë nuk dolën vetëm nga arma e Elvis Shkambit.
Ata u mbushën prej jush, prej çdo padrejtësie që keni bërë, prej çdo pafajshmërie që keni shkelur, prej çdo dosjeje që keni shitur.
E vrau një njeri, por e vranë të gjithë bashkë ju që për vite me radhë e kthyet drejtësinë në biznes, në pazare, në shantazh. Ju që e bëtë popullin të urrejë togën e zezë, sepse ajo nuk solli kurrë drejtësi, por vetëm padrejtësi me firmë e vulë gjykate.

Sot flisni për siguri.
Po sigurinë e popullit kush e garanton?
Kush mbron qytetarin që nuk ka para për të blerë drejtësinë tuaj?
Kush mbron viktimat që ju i keni lënë në baltë?

Nuk mund të ketë drejtësi me frikë, por as drejtësi pa ndërgjegje. Para se të kërkoni mbrojtje, kërkoni pastrim. Para se të kërkoni siguri, kërkoni ndeshkim për të korruptuarit mes jush.
Sepse ky vend nuk ka më nevojë për gjyqtarë që veshin togën për të mbrojtur veten, por për ata që e mbajnë për të mbrojtur popullin.

Ka ardhur koha për një reformë të dytë në drejtësi, këtë herë, një reformë brenda ndërgjegjes së gjyqtarëve. Duhet një reformë për “reformën në drejtësi”. Të qëndrojnë vetëm ata që nuk kanë frikë të ecin mes popullit, pa eskortë e pa luks.
Sepse drejtësia nuk matet me vilat që ke, as me makinën që ngas, por me paqen që populli ndjen kur e përmend emrin tënd.

Drejtësia nuk u vra më 6 tetor. Ajo ka vdekur ngadalë, çdo ditë, në çdo vendim të padrejtë që keni dhënë. Tani, është koha të reflektoni, jo për vrasjen e një njeriu, por për vrasjen e një ideali, drejtësisë që nuk ekziston më.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.