Nga përplasja me Arbanën, tek RTSH, Luana mbetet jashtë ekranit
Ajo është gjithmonë në lëvizje, mes projekteve të ndryshme televizive, muzikës dhe sipërmarrjes. Luana Vjollca mbetet një nga figurat më të angazhuara dhe më të ndjekura në botën e showbizit shqiptar, por prej kohësh, ekrani nuk ka qenë prioriteti i saj.
Në rrjetet sociale ajo shfaqet e palodhur, me risi të vazhdueshme për ndjekësit, por ndërkohë që shumë e prisnin një rikthim më të fuqishëm në muzikë, Luana ka zgjedhur të fokusohet te zgjerimi i biznesit.
Megjithatë, pyetjet për një rikthim në ekran nuk mungojnë. Kujtojmë se përvoja e saj e fundit ishte me “Ferma VIP”, ku për herë të parë moderoi një reality show. Pas këtij projekti, Luana nuk është parë më në televizion, edhe pse prej më shumë se një viti ka në dorë një format të sajin, të cilin nuk ka arritur ende ta realizojë në ndonjë ekran.
Në vitin e kaluar u përfol për një bashkëpunim të mundshëm me Top Channel, por bisedimet duket se nuk shkuan siç pritej, dhe projektet mbetën pezull.
Ndërkohë, një zhvillim i ri ka tërhequr vëmendjen: Luana ka dorëzuar zyrtarisht platformën e saj për të moderuar Festivalin e Këngës në RTSH, një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës shqiptare. Propozimi i saj ndodhet aktualisht në shqyrtim nga Drejtoria e Përgjithshme e RTSH, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Për këtë edicion është kontaktuar edhe autorja Zefina Hasani, por mësohet se ajo ka refuzuar për shkak të angazhimeve të tjera. Në vend të saj, burime pranë RTSH bëjnë me dije se gazetari Ervin Kurti është një nga emrat që po shqyrtohet për rolin e autorit të festivalit.
Megjithatë, konkurrenca nuk mungon: Arbana Osmani ka paraqitur gjithashtu një platformë për të qenë sërish pjesë e këtij festivali.
Në këtë fazë, mbetet për t’u parë nëse Luana do të rikthehet në ekran si prezantuese e festivalit, apo do të vazhdojë të fokusohet te projektet e saj personale dhe biznesi, i cili është kthyer tashmë në një prioritet për të.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



