E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama rrëzoi rezolutën, për të mbajtur marrëdhëniet me Vuçiçin
Bota

Rama rrëzoi rezolutën, për të mbajtur marrëdhëniet me Vuçiçin

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar ashpër ndaj mazhorancës, pas refuzimit të saj për të futur në rendin e ditës dhe për të miratuar rezolutën që njeh dhe dënon gjenocidin serb në Kosovë.

I ftuar në Syri TV, Shehu deklaroi se nuk është hera e parë që qeveria Rama rrëzon këtë nismë, duke vepruar sipas tij në linjë me qëndrimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe duke injoruar thirrjet zyrtare nga Kuvendi i Kosovës për të miratuar një rezolutë binjake me atë të Prishtinës.

“Qeveria shqiptare po shmang qëllimisht njohjen dhe dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Ajo nuk pranon as ta diskutojë rezolutën në Kuvend, çka tregon një vullnet politik të qartë për të heshtur ndaj krimeve serbe,” tha Shehu.

Ai e cilësoi këtë sjellje si një akt të rëndë politik dhe moral, që shkon përtej kalkulimeve diplomatike. Sipas tij, është detyrim historik i Shqipërisë që të ndërkombëtarizojë krimet e kryera nga regjimi serb në Kosovë, veçanërisht për shkak se vetë Kosova, si një shtet ende jashtë OKB-së, nuk mund ta bëjë këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë në forumet ndërkombëtare.

“Refuzimi i kësaj rezolute është tradhti ndaj viktimave të gjenocidit, ndaj Kosovës dhe ndaj vetë të ardhmes sonë si komb. Rama po vendos interesat e Vuçiçit përpara interesit kombëtar shqiptar,” u shpreh deputeti demokrat.

Shehu kujtoi gjithashtu manipulimin e rezolutës për Srebrenicën, ku sipas tij mazhoranca deformoi qëllimin e dokumentit për të shmangur çdo referencë të drejtpërdrejtë ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë.

Në fund, ai paralajmëroi se ky qëndrim do të ketë pasoja të rënda për rolin e Shqipërisë në rajon dhe për marrëdhëniet me Kosovën, duke theksuar se heshtja përballë gjenocidit është bashkëfajësi morale.

Deklarata:

Nuk është hera e parë që ndodh, kjo mazhorancë të njëjtën rezolutë e rrëzoi. Këtë herë e rrëzoi sërish, duke mos pranuar as ta fusë në rendin e ditës dhe as ta sjellë në Parlament. Këtë rezolutë unë e shoh shumë të rëndësishme për të vërtetën historike, për konkluzionet dhe problemet e sotme. Është një rezolutë që është në vazhdim të rezolutës së Kuvendit të Kosovës, të miratuar pak vite më parë. Kuvend i cili i ka bërë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të miratojë një rezolutë. Është një rezolutë binjake me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, i cili njeh dhe dënon gjenocidin serb në Kosovë në ato vite.

Pra, është një rezolutë që lidhet me fakte, prova. Po të lexosh tekstin, ka një rreshtim të gjatë provash dhe faktesh të këtij gjenocidi, ku kërkohet që Kuvendi i Shqipërisë ta njohë këtë gjenocid, kërkon të dënohet dhe, më e rëndësishmja, është që kërkon t’i bëjë thirrje dhe t’i kërkojë qeverisë shqiptare që të ndërkombëtarizojë gjenocidin serb në Kosovë pranë gjykatave ndërkombëtare, gjë që Kosova nuk e bën dot si pasojë e mosqenies pjesë e OKB-së.

Është detyra e qeverisë shqiptare të asistojë qeverinë e Kosovës në ndërkombëtarizimin e këtij problemi, krimi monstruoz. Jo thjesht për të dënuar krimin, por për të vendosur të vërtetën në vend. Ashtu si Gjykata Ndërkombëtare njohu dhe dënoi gjenocidin serb në Srebrenicë, gjë të cilën ky Parlament shqiptar nuk e kaloi kur ne paraqitëm rezolutën e parë, por kaloi një material të deformuar për atë problem. Kuvendi i Shqipërisë duhet vënë në lëvizje.

Shkaku publik që dhanë ata është qesharak. Dëgjova Ballën kur tha se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë 26 vjet më parë nuk është e vërtetë. Kjo bëhet me frymën e rezolutës së Kuvendit të Kosovës, që është miratuar vetëm 3–4 vite më parë. Shkaku i vërtetë është te deklarata që bëri Vuçiç, ku tha se është i bindur që të gjitha parlamentet e vendeve mike nuk do të miratojnë rezoluta të ngjashme dhe këtu e kishte me Parlamentin e Shqipërisë, i cili duhet të ishte vendi më aktiv, më i interesuar në dënimin e atij gjenocidi. Sepse Kosova, kosovarët janë shqiptarë.

Këtu nuk është çështje miqësie mes Ramës dhe Vuçiçit; këtu kemi një politikë të Ramës, e cila vendos prioritare marrëdhënien Shqipëri–Serbi ndaj marrëdhënieve Shqipëri–Kosovë. Me të vërtetë është historike: sakrifikon të vërtetën historike në funksion të marrëdhënies Shqipëri–Serbi, dhe ky është problem. Ne me Serbinë mund të kemi marrëdhënie shtetërore normale, por nuk mund të kalohet një cak dhe marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë nuk mund të jenë në varësi të marrëdhënieve me Serbinë. Prioritare, strategjike për ne janë marrëdhëniet me Kosovën, për të rikrijuar atë rol që Shqipëria ka pasur deri në vitin 2013 rolin lider në rajon për stabilitet dhe integrimin rajonal në BE. Rol të cilin vendi ynë e humbi që nga viti 2014, duke ia kaluar Vuçiçit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.