Gazetarja Ola Xama ka hedhur dritë mbi përplasjen e fundit për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, duke theksuar se konflikti mes kompanive është në thelb një luftë për interesa financiare, dhe jo një çështje e financimit rus apo mbrojtjes së të drejtave të investitorëve, siç po paraqitet publikisht.
Sipas analizës së saj, marrëveshja e shitjes së aksioneve midis kompanisë 2A Group të Valon Ademit dhe Mabco Construction të Behgjet Pacollit nuk ka vlerë ligjore pa miratimin e Autoritetit Kontraktor, i cili është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Njësoj edhe miratimi i mëparshëm për ndryshimin e aksionerëve nga kompania turke YDA te Mabco Construction është bërë pa siguruar që kompania e re do të përmbushë kapacitetet teknike dhe financiare, çka përbën shkelje të kontratës koncesionare.
Xama shton se një tjetër shkelje serioze është edhe marrëveshja e huasë me kompaninë Delphos Securities SARL, e regjistruar në një juridiksion offshore, ku lejohet që aksionerët të kenë akses në llogaritë e të ardhurave të koncesionarit – sërish pa miratimin e institucioneve shtetërore.
“Nëse këto para janë vërtet ruse, kontrolli i projektit nuk ndryshon. 51% e aksioneve mbeten në duart e Mabco Construction, ndaj rreziku i pretenduar nuk zhduket, pavarësisht se kush i zotëron pjesën tjetër të aksioneve”, thekson gazetarja.
Ajo nënvizon se përplasja e tanishme nuk ka të bëjë me mbrojtjen e interesit publik, por me përfitimet marramendëse të kontratës koncesionare, afro 734 milionë euro për 35 vjet, ose rreth 21 milionë euro në vit.
“Nëse shteti do të zbatonte ligjin, çdo ndryshim në strukturën e aksioneve pa miratim dhe pa garantuar vazhdimësinë e kapaciteteve teknike do të duhej të sillte prishjen e kontratës dhe rihapjen e garës, gjë që nuk ka ndodhur,” shprehet Xama.
Sipas saj, përplasja që po zhvillohet aktualisht në publik, në media dhe në gjykata, nuk ka lidhje me interesat e sigurisë kombëtare apo ndikimin rus, por me kontrollin e një kontrate me përfitime shumë të mëdha financiare, e cila ka humbur në mënyrë të rrezikshme mbikëqyrjen dhe kontrollin institucional.
Postimi i Ola Xamës:
Përse konflikti për Koncesionin e Aeroportit të Vlorës ka më shumë gjasa të jetë “prishje pazaresh” se sa frikë për financim rus (siç pretendon njëra palë), apo mbrojtje e të drejtave të investitorit (që është pretendimi i palës tjetër)?!
1. Kontrata koncesionare nuk lejon ndryshim të aksionerëve pa u marrë miratimi i Autoritetit Konktraktor dhe në këtë rast marrëveshja e shitjes së kuotave mes dy palëve (2A Group dhe Mabco Construction) nuk ka asnjë vlerë ligjore. Nëse 2A Group ka investuar 22.8 milion euro siç pretendon dhe i takojnë 49% e aksioneve në këtë kontratë, duhet të ketë patur siguri nga autoritetet për këtë miratim sepse nuk ka përvojë në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të aeroporteve. (https://arbk.rks-gov.net/TableDetails të dhënat sipas ekstraktit të ARBK )
2. Edhe miratimi për shitjen e aksioneve nga turqit e YDA te kompania Mabco Construction është bërë në shkelje. Kjo duket qartë që të vendimi për miratimin e shitjes që ka bërë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në paragrafin e fundit të shkresës thuhet se “koncesionari duhet të vazhdojë të garantojë aftësinë financiare, teknike dhe të operimit”. Pra, miratimi është bërë pa u garantuar vazhdimi i aftësisë teknike dhe financiare!
3. Marrëveshja e huasë mes Mabco Construction dhe Delphos Securities SARL ku lejohet aksesi në llogaritë e të ardhurave të shoqërisë koncesionare pa marrë miratimin e Autoritetit Konktraktor, është po ashtu një shkelje dhe kriter që Autoriteti Kontraktor ta konsiderojë shkelje të kontratës. Vënia në dijeni për këtë kredi duhet të vinte në lëvizje autoritetet e inteligjencës financiare në vend dhe jo të përfundonte në një luftë mediatike!
Dhe ajo që është më e rëndësishme:
4. Nëse paratë e dhëna hua janë ruse nuk e di askush. Delphos Securities rezulton e regjistruar në juridiksion offshore dhe pronarët e vërtetë nuk njihen. Por po supozojmë se këto janë para ruse. Pyetja kryesore që shtrohet është: a zhduket ky rrezik kontrolli që pretendohet në koncesionin e aeroportit nëse 2A Group merr 47% plus 2% (që i ka aktualisht) të aksioneve? Sërish kontrollin me 51% e ka Mabco Construction! Rreziku i financimit rus vazhdon…
Çfarë duhet të ndodhte në një situatë normale ku shteti zbaton rregullat dhe ligjet? Që në momentin që ndryshon pronësia dhe nga koncesioni del kompania kryesore që përmbushte kriteret teknike, institucionet duhet të kërkonin zëvendësimin e saj me një firmë të ngjashme që plotësonte të njëjtat kushte. Nëse kjo nuk ndodhte, prishej kontrata dhe duhej që gara të hapej nga e para!
Por siç pranon dhe vetë kompania 2A Group në akt-padinë e dorëzuar pranë autoriteteve të drejtësisë, fitimet e kontratës koncesionare janë të mëdha: 734 milion euro për 35 vjet, ose 21 milion euro në vit! Ndaj dhe lufta për disa aksione më shumë është e fortë.







