Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër pas thirrjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke i kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen menjëherë.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj i është përgjigjur deklaratës së Ramës, i cili tha më herët se “drejtësia ka punën e vet”.
“Si, nuk të intereson që po arrestojnë Belinda Ballukun? Është zëvendësja jote! Para saj donin të arrestonin Arben Ahmetajn, që ia mbathi në Zvicër. Ndërkohë Erion Veliajn, krahun tënd të djathtë, e ke në burg për korrupsion. Sa veta duhet të arrestojnë që ti të mbash përgjegjësi?” – u shpreh Shehaj.
Kreu i Partisë Mundësia akuzoi Ramën se po përpiqet të distancohet nga aferat korruptive që, sipas tij, përfshijnë bashkëpunëtorët më të afërt të qeverisë.
“Bëhu burrë, mbaj përgjegjësi dhe jep dorëheqjen!” – përfundoi Shehaj, duke theksuar se çdo ditë që kalon “tregon më shumë se korrupsioni ka prekur majat e qeverisjes socialiste”.







