Burg, burg dhe vetëm burg! Qeveria ‘fut duart’ te Kodi Penal
Ndërkohë që prej muajsh po diskutohet një Kod Penal i ri, qeveria ka ndërmarrë nisma për të adresuar disa problematika të cilat i cilëson si urgjente, si mbrojtja e territorit dhe parandalimi i zjarreve.
Edhe pse janë miratuar më parë disa akte normative për të frenuar abuzimet e vazhdueshme, rezultatet nuk kanë qenë të mjaftueshme. Për këtë arsye, në projekt-ndryshimet e reja parashikohen masa më të forta ndëshkuese.
Ndryshimet për “pushtimin e tokës”
Aktualisht, neni 200 i Kodit Penal, i titulluar “Pushtimi i tokës”, përmban vetëm një fjali dhe e cilëson këtë veprim si kundërvajtje penale që dënohet me gjobë ose deri në 2 vite burg.
Në versionin e ri, neni merr emrin “Zënia e tokës” dhe zgjerohet në katër paragrafë, duke sjellë dënime më të rënda që variojnë nga 6 muaj deri në 6 vite burg, në varësi të rrethanave të shkeljes.
Në rastet kur shkelja kryhet nga zyrtarë të institucioneve që merren me mbrojtjen e territorit, ndëshkimi është maksimal dhe shoqërohet me ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet.
Ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura
Propozimet e reja parashikojnë edhe dy paragrafë shtesë për ndërtimet pa leje.
Nëse ndërtimi kryhet në zona të mbrojtura, të trashëgimisë kulturore apo kur cenon infrastrukturën kritike, dënimi varion nga 5 deri në 10 vite burg.
Kur në këto raste përfshihen zyrtarë publikë, dënimi është nga 3 deri në 7 vite, duke përfshirë sërish ndalimin për të ushtruar detyra në administratë.
Dënime më të rënda për zjarrvënie
Pas një vere të shënuar nga zjarre masive që sollën dëme të mëdha materiale dhe rrezikuan jetën e qytetarëve, projekt-ndryshimet në Kodin Penal përfshijnë edhe përkufizime të reja për veprat që lidhen me zjarrvënien.
Nëse zjarri ndodh gjatë periudhave me rrezik të lartë (si stina e verës) ose në zona ku përhapja është më e shpejtë:
-
Kur dëmtohet prona, dënimi është nga 3 deri në 8 vjet burg;
-
Kur preken pyjet, dënimi është nga 5 deri në 8 vjet;
-
Në rastet e pakujdesisë, ndëshkimi parashikohet nga 3 në 6 vjet burg.
Në situatat kur zjarri përfshin zona të mbrojtura ose objekte të trashëgimisë kulturore, dhe sjell shkatërrim prone apo pyjesh, dënimi arrin deri në 10 vjet, ndërsa nëse shkaktohet nga pakujdesia, nga 4 deri në 7 vjet.
Zjarri me qëllim ndryshimin e destinacionit të tokës
Një risi në projektligj është parashikimi i dënimit për zjarrvënie me qëllim ndryshimin e kategorisë së tokës — një praktikë që shpesh lidhet me interesat ndërtimore.
Në këto raste, dënimi varion nga 7 deri në 15 vjet burg, ndërsa gjykata do të ketë detyrimin të vendosë që kategoria e tokës së dëmtuar të mos ndryshojë për 30 vjet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



