Si Bashkia e Tiranës i poshtëron pensionistët për një abone autobuzi falas
Radhët e dhimbjes
Arben Llangozi | Opinion | Publik.al
Çdo muaj, shfaqet i njëjta skenë që të prek shpirtin, radhë të gjata, fytyra të lodhura, duar që mbahen në bastunë, shikime që kërkojnë vetëm pak dinjitet. Janë pensionistët tanë, prindërit dhe gjyshërit që kanë punuar gjithë jetën për këtë vend të detyruar të zvarriten çdo muaj për të marrë një abone që në letër është falas, por në praktikë kushton shumë më tepër, shëndet, durim dhe dinjitet.
Në vend që t’u lehtësohet jeta, këtyre njerëzve u shtohen pengesa dhe burokraci. Presin në shi, në vapë, në radhë të pafundme për një copë letër që mund të zëvendësohej lehtësisht me një verifikim përmes librezës së pensionit. Por jo shteti i tyre, Bashkia e tyre, u kërkon të përulen çdo muaj për të marrë një të drejtë që u takon me ligj.
Ky nuk është kujdes social. Ky veprim është poshtërim institucional. Një formë e heshtur për t’i bërë të ndihen të vegjël, të varur, të padukshëm. Dhe megjithatë, ata nuk ankohen. Rrinë në radhë me përulësi, me fytyra që tregojnë një jetë pune, sakrifice e përkushtimi.
Në epokën e dixhitalizimit, kur çdo gjë po bëhet me një klik, pensionisti i Tiranës ende pret me orë të tëra për një letër me vulë. Nuk është mungesë mundësish, është mungesë vullneti, mungesë humanizmi.
A nuk do të mjaftonte që Bashkia të njihte librezën e pensionit si dokument të vlefshëm për udhëtim falas? A nuk do të ishte më humane që aboneja të ishte e përhershme, pa nevojë për poshtërime mujore?
Këta njerëz nuk kërkojnë as luks, as privilegje. Kërkojnë respekt. Kërkojnë që shteti që ndërtuan me djersën e tyre t’i trajtojë me dinjitet, jo si peng të një sistemi të pandjeshëm.
Nëse duam të masim nivelin e humanizmit të një shoqërie, duhet të shohim si trajton ajo pleqtë e vet. Dhe në Tiranë, pamja është e dhimbshme: një qytet modern që harron njerëzit që e ngritën.
Është koha që Bashkia të heqë dorë nga ky absurditet burokratik dhe të japë shembullin e respektit ndaj brezit të tretë.Sepse asnjë abone nuk vlen sa dinjiteti i një pensionisti.
O Edi Rama, pse nuk e përdor ministren Diella për të ndihmuar këta pensionistë që sorollaten çdo muaj në radhë për një abone falas? A nuk e sheh se çdo ditë në Tiranë, të moshuarit zvarriten nga një sportel në tjetrin, me bastun në dorë dhe me shpresën se dikush do t’i trajtojë me dinjitet? Apo ministrja Diella ka marrë lejen e lindjes dhe shteti ka lënë pa zë ata që e kanë ngritur me duart e tyre? Turp është që në vend të kujdesit, të moshuarve u jepet lodhje dhe përçmim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



