Denoncimi/ Skandaloze në fabrikën “SEES Cabind Albania”
21-vjeçari humb jetën pa ndihmë mjekësore, punëtorët kërcënohen të heshtin
“Fabrika kineze pa kushte, drejtues pa përgjegjësi”

Një ngjarje e rëndë ka tronditur punëtorët e fabrikës “SEES Cabind Albania”, ku një i ri vetëm 21-vjeç humbi jetën gjatë orarit të punës, pa marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe larg syrit të institucioneve.
Sipas denoncimeve të punonjësve për Publik.al, Juris Becaj është ndjerë keq gjatë procesit të punës, por mjeku i fabrikës ka vonuar të reagojë, ndërkohë që djali ka mbetur i shtrirë për 40 minuta deri në 1 orë pa asistencë të specializuar.
“Ai tha se nuk di çfarë ka… por nuk jeton më mes nesh”, – thonë kolegët e tij, të tronditur nga mosreagimi në kohë.
Ambulanca nuk i hapi telefonatat
Punëtorët tregojnë se kanë tentuar për disa herë të thërrasin ndihmën e shpejtë, por telefonatat kanë mbetur pa përgjigje.
Edhe kur ambulanca mbërriti, ndihma erdhi tepër vonë.
Juris, ndonëse për pak momente reagoi pas injektimit të adrenalinës, ndërroi jetë aty, në fabrikë, larg çdo mundësie shpëtimi.
Kërcënime dhe presion për të heshtur
Punonjësit që raportuan rastin pretendojnë se janë kërcënuar me përjashtim nga puna nëse flasin ose kërkojnë hetim:
“Nëse hapim gojën, na heqin menjëherë”, – dëshmon një prej tyre.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi:
• mungesën e protokolleve të sigurisë në punë
• përgjegjësinë ligjore të menaxhimit të fabrikës
• papërgjegjshmërinë ndaj jetës së punëtorëve
Thirrja e familjarëve dhe kolegëve
Punëtorët dhe qytetarët kërkojnë drejtësi dhe masa urgjente ndaj kompanisë:
“Të mos përsëriten raste si ky. Kemi të drejtë të kemi siguri e trajtim njerëzor në punë.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



