Lirohet nga burgu ish-presidenti Nicolas Sarkozy
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të lirohet nga burgu, pasi një gjykatë vendosi që pjesën e mbetur të dënimit ta vuajë në shtëpi, nën masa të rrepta kontrolli gjyqësor, sipas asaj çka raporton Le Monde.
Sarkozy, i cili u dënua më 25 shtator me pesë vjet burg për komplot kriminal në rastin e financimit libian të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007, hyri në burgun La Santé më 21 tetor.
Nëpërmjet një lidhjeje video nga burgu, ish-kreu i shtetit e përshkroi periudhën trejavore si “rraskapitëse” dhe “një makth i vërtetë”.
“Nuk kam pasur kurrë ndonjë ide ose qëllim për t’i kërkuar Gaddafit fonde. Nuk do të rrëfej kurrë diçka që nuk e kam bërë. Është një provë e tmerrshme që më është imponuar”, tha Sarkozy në seancë.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për stafin e burgut, duke theksuar se “humaniteti i tyre e bëri këtë makth të durueshëm”.
Sipas vendimit të gjykatës së apelit në Paris, Sarkozy do të qëndrojë në arrest shtëpie, i ndaluar të kontaktojë me zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë apo persona të përfshirë në çështje, si dhe nuk do të mund të largohet nga Franca.
Burime franceze raportojnë se Sarkozy, 70 vjeç, ka qëndruar në izolim për arsye sigurie, në një qeli 9 metra katrorë me dush e tualet privat, ndërsa truprojat e tij ndodheshin në qelinë ngjitur. Sipas të përjavshmes Le Point, ai kishte zgjedhur të mos konsumonte ushqim të përgatitur nga burgu, duke ngrënë vetëm kos, nga frika se mund t’i ishte prekur ushqimi.
Sarkozy ka apeluar kundër vendimit dhe një gjyq i ri pritet të zhvillohet në pranverën e ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



