Kreu i lëvizjes “Mundësia”, Agron Shehaj, ka komentuar zhvillimet më të fundit mbi hetimet dhe përgjimet që përfshijnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke e cilësuar situatën si “skandaloze”.
Shehaj theksoi se fakti që Balluku vijon të mbajë postin e saj, edhe pas publikimit të përgjimeve dhe provave të prokurorisë, tregon se “pushteti po e mbron”.
“Ka një moment që pasi dalin përgjimet, pasi del akuza, pasi Balluku është nën hetim, publiku priste dorëheqjen ose shkarkimin e saj nga Rama. Prokuroria ka gjetur prova dhe është bindur për ndërhyrjet e saj. Kjo nuk është vetëm çështje politike, por edhe penale,” deklaroi Shehaj.
Sipas tij, nga dosja hetimore del qartë mënyra se si Balluku ka ndikuar në tendera, duke komunikuar drejtpërdrejt me vartësit për të ndikuar në rezultatet e tyre.
“Ajo vendos çdo gjë në telefon. I thotë vartësit ‘je i besuari im’, i jep udhëzime për tenderat, diskuton ofertat, i ndryshon sipas interesit. Fillimisht ishin 40 për qind, pastaj e rritën në 60. Kjo është një bandë grabitëse që po vjedh hapur,” shtoi Shehaj.
Deputeti akuzoi kryeministrin Edi Rama se është bërë pjesë e kësaj skeme përmes heshtjes dhe mbrojtjes politike që po i ofron Ballukut.
“Të na bëjnë kaq budallenj, sikur Rama nuk dinte gjë për tunelin e Llogarasë apo aeroportin e Vlorës? Ai është pjesë e kësaj skeme, sepse po e mbron,” tha Shehaj në emisionin “Log”.
Në përfundim, ai theksoi se Rama nuk mund të pretendojë më se nuk ka dijeni për aferat në qeveri, pasi, ndryshe nga rastet e mëparshme, këtë herë po e mban zëvendësen e tij në detyrë.
“Nëse dikur hiqte dorë nga ministrat për të ruajtur fasadën, sot ai i mbron hapur. Kush është i pafajshëm, largohet dhe përballet me drejtësinë. Këta jo, sepse e dinë që janë fajtorë,” përfundoi Shehaj.







