Makina ‘fluturon’ në humnerë në Vlorë, 5 të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në afërsi të fshatit Novoselë, në Vlorë, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet me pesë të rinj në bord ka dalë nga rruga, është përplasur me barrierat mbrojtëse dhe ka përfunduar në një kanal anësor.

Pesë personat që ndodheshin në mjet kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore. Burime nga spitali konfirmojnë se fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, megjithëse të gjithë kanë pësuar fraktura dhe dëmtime të shumta trupore.

Forcat e Policisë Rrugore dhe ekipet e emergjencës mbërritën me shpejtësi në vendin e ngjarjes, duke arritur të hapin dyert e makinës dhe të nxjerrin të bllokuarit.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë automjetin të përmbysur në kanal dhe tërësisht të dëmtuar, ndërsa mjekët punonin për stabilizimin e të plagosurve.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, por dyshohet se shpejtësia e lartë dhe kushtet e vështira të rrugës mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


