E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Marrëveshja sekrete me Izraelin, si i ktheu shpinën Rama Erdoganit
Lajme

Marrëveshja sekrete me Izraelin, si i ktheu shpinën Rama Erdoganit

Një marrëveshje strategjike mes Shqipërisë dhe kompanisë izraelite të mbrojtjes “Elbit Systems” po shkakton tensione të forta në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Ankarasë. Sipas burimeve diplomatike, bashkëpunimi i ri për ngritjen e një industrie ushtarake shqiptaro-izraelite është parë nga Turqia si një sinjal i qartë afrimi me Tel Avivin dhe Uashingtonin duke e lëkundur aleancën e gjatë Rama–Erdogan.

Marrëveshja që ndryshon ekuilibrat rajonalë

Në kuadër të këtij pakti, qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje të gjerë me “Elbit Systems” për furnizim me armatime moderne, kredi shtetërore të garantuara nga Izraeli dhe ngritjen e një fabrike prodhimi në territorin shqiptar.

Sipas burimeve diplomatike dhe raportimeve të mediave izraelite, marrëveshja nuk kufizohet vetëm te blerja e armatimeve, por ka karakter strategjik: ajo synon krijimin e një baze të përbashkët prodhuese dhe teknologjike për sistemet e mbrojtjes.

Në këtë kuadër, kredia do të mbulohet nga agjencia shtetërore ASHRA (Export Credit Agency), që garanton ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë izraelite në modernizimin e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë. Kjo përbën një hap të madh në drejtim të përfshirjes së Tiranës në industrinë globale të armatimeve.

Rikthimi i uzinave shqiptare të armëve

Burime të “Pamfletit” raportojnë se projekti parashikon riaktivizimin e uzinave të Gramshit dhe Poliçanit, ish-qendra të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes shqiptare gjatë periudhës komuniste. Fillimisht, bashkëpunimi do të zhvillohet përmes kompanisë shtetërore “KAYO”, ndërsa “Elbit Systems” do të ofrojë teknologjinë dhe licencat për prodhim.

Në fazën e parë, planifikohet prodhimi i municioneve dhe i artilerisë së mesme, ndërsa prodhimet do të orientohen kryesisht për eksport drejt vendeve të NATO-s dhe partnerëve të Izraelit.

Në një fazë të dytë, pritet nisja e prodhimit të dronëve ushtarakë të tipit “Magni” dhe “Thor” – homologë të “Bayraktar”-ëve turq – çka ka ngjallur reagime të ashpra në Ankara.

Zemërimi turk dhe ftohja e marrëdhënieve

Sipas burimeve diplomatike në Tiranë, Ankaraja ka kërkuar sqarime zyrtare mbi marrëveshjen me Izraelin, duke e konsideruar atë “akt jo miqësor” dhe një devijim nga partneriteti tradicional mes dy vendeve. Disa media pro-qeveritare turke e kanë akuzuar Ramën se “po rreshtohet me një shtet që shtyp palestinezët”, duke i dhënë çështjes edhe ngjyrim fetar e emocional.

Siç shkruan Pamfleti, mediat pranë qeverisë turke kanë nisur një fushatë propagandistike kundër marrëveshjes shqiptaro-izraelite, duke paralajmëruar ftohje të dukshme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Burime nga Tirana konfirmojnë se Erdogani e ka pritur me zemërim afrimin e Ramës me Tel Avivin, veçanërisht pas refuzimit të Tiranës për projektin e përbashkët të prodhimit të dronëve “Bayraktar” në Shqipëri.

Armatimet që vijnë nga Izraeli

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kontingjenti i parë i armatimeve izraelite pritet të mbërrijë në vend me avionë ushtarakë gjatë javëve të ardhshme.

Paketa përfshin obuzë të tipit “ATMOS” – artileri e lëvizshme 155 mm me rreze mbi 40 km – dronë “Magni” dhe “Thor” për zbulim dhe goditje, si dhe municione të avancuara artilerie.

“ATMOS” është homolog i artilerisë britanike të përdorur në Ukrainë, dhe sipas burimeve ndërkombëtare, një pjesë e këtyre armëve mund të destinohen për rishitje ose mbështetje indirekte ndaj Kievit.

Fundi i një boshti politik

Për më shumë se një dekadë, Edi Rama ka kultivuar një raport të ngushtë personal e politik me Rexhep Taip Erdoganin, që i ka garantuar mbështetje ekonomike, fetare dhe diplomatike.

Por afrimi me Izraelin dhe Perëndimin në sektorin e mbrojtjes duket se po e ndryshon rrënjësisht këtë ekuilibër. Turqia e ka parë gjithmonë Shqipërinë si pjesë të sferës së saj të ndikimit, por marrëveshja e re me “Elbit Systems” e zhvendos Tiranën drejt boshtit izraelito-amerikan.

Në këtë kuptim, bashkëpunimi me Izraelin nuk është vetëm një çështje armatimesh, por një deklaratë politike që sinjalizon rreshtimin e Shqipërisë në kampin perëndimor.

Nëse dikur Rama shihej si “vëlla politik” i Erdoganit, sot ai po konsolidohet si partner i Tel Avivit – një ndryshim me pasoja të thella për dinamikën gjeopolitike të Ballkanit./Pamfleti

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.