E vërteta e frikshme
Kushtet në të cilat pacientet marrin kimioterapi në Spitalin Onkologjik vazhdojnë të jenë alarmante. Gazetari Osman Stafa, përmes një reportazhi nga terreni, ka dokumentuar situatën e rënduar, ku trajtimi vijon të bëhet me metoda të vjetruara dhe jashtë çdo standardi europian.
Sipas Stafës, pacientet vendosen në karrige të zakonshme, pa poltronë, pa ambiente të dedikuara dhe pa privatësi minimale. Ai thekson se pajisjet bazike, të cilat në shumicën e spitaleve moderne konsiderohen standard elementar, mungojnë prej vitesh në repartin ku trajtohen pacientët me sëmundje onkologjike.
“Nuk ka shiringa elektrike, nuk ka pompa infuzioni. Kimioterapia jepet ende me gravitet, si në vitet ’80, me rrezik për mbidozë, nën-dozim dhe reaksione alergjike që askush nuk i sinjalizon,” raporton Stafa.
Një tjetër problem shqetësues është mungesa e port-cat, pajisje që në shumicën e vendeve europiane vendoset që në fillim të trajtimit për të shmangur dëmtimin e vazhdueshëm të venave. Për shkak të mungesës, pacientet detyrohen të shpojnë venat në çdo seancë, duke rritur dhimbjen dhe rrezikun e komplikacioneve të rënda, përfshi edhe dëmtimin e indeve nga ekstravazioni i medikamenteve.
“Këto gra nuk po marrin trajtim dinjitoz; ato po mbijetojnë në një sistem që është dorëzuar,” deklaron gazetari, i cili e cilëson situatën “të papranueshme për një vend që pretendon standarde europiane”.
Sipas tij, përballja e përditshme e pacienteve me mungesë pajisjesh, kushte minimale dhe rrezik të shtuar gjatë kimioterapisë, përbën një dështim të strukturave shtetërore që kanë për detyrë garantimin e shërbimit shëndetësor.
“Kjo nuk është thjesht historia e këtyre pacienteve. Kjo është përgjegjësi e shtetit,” përfundon Stafa.