Kërcënohet me vdekje gazetari Osman Stafa
Gazetari i News24, Osman Stafa, është përballur me një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën, pasi në llogarinë e tij në Facebook është dërguar një mesazh me përmbajtje kërcënuese.
Mesazhi përmban kërcënime të qarta ndaj gazetarit, ku ndër të tjera shkruhet: “mbaje mend do të vras” dhe “këtë ta garantoj”.
Sipas dëshmisë së Osman Stafës, kërcënimi mund të ketë lidhje me një material filmik që ai ka realizuar dhe publikuar gjatë protestës së zhvilluar më 8 shtator pranë Parlamentit.
Në pamjet e publikuara prej gazetarit dokumentohen veprimet e disa personave civilë gjatë ndalimit dhe arrestimit të një prej protestuesve. Pikërisht publikimi i këtij materiali dyshohet se mund të ketë sjellë edhe reagimin kërcënues ndaj tij.
Rasti ka shkaktuar reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili e ka dënuar ashpër kërcënimin dhe ka ngritur shqetësimin për sigurinë e gazetarit.
Sipas AGSH-së, kërcënimet me vdekje ndaj gazetarëve marrin një rëndësi veçanërisht serioze kur lidhen me ushtrimin e profesionit, raportimin e ngjarjeve dhe publikimin e materialeve me interes për opinionin publik.
Shoqata e ka cilësuar rastin si një cenim të rëndë të sigurisë së gazetarit, lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për të marrë informacion.
Në reagimin e saj, AGSH i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve të drejtësisë që të ndërhyjnë me urgjencë për të identifikuar personin ose personat që fshihen pas llogarisë nga e cila është dërguar mesazhi kërcënues.
Rasti rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë e gazetarëve në Shqipëri, veçanërisht në situatat kur raportimi i tyre përfshin protesta, përplasje apo veprime të forcave të rendit dhe personave civilë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



