Bardhi shpërthen ndaj projektit fotovoltaik në Fier
“Balluku, zyrtarja më e korruptuar në historinë e shtetit shqiptar
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj projektit për ndërtimin e një centrali fotovoltaik prej 82 megavatësh në fshatin Boçovë të Fierit, një investim i parashikuar me vlerë rreth 80 milionë euro.
Në një deklaratë të bërë publike në rrjetet sociale, Bardhi akuzon Belinda Ballukun se ka shpallur fituese kompaninë Albanian Solar Power, e cila, sipas tij, ka si përfitues Engjëll Agalliun një punonjës i thjeshtë i kompanisë “Salillari”, pa kapacitete teknike apo financiare për një projekt të kësaj përmase.
“Është e pamundur të gjesh një projekt të Ballukut që të jetë në përputhje me ligjin. Pas çdo firme të saj fshihen miliona euro afera korruptive dhe dyshime serioze për pastrim parash,” shkruan Bardhi.
Ai e quan Ballukun “zyrtaren më të korruptuar në historinë e shtetit shqiptar, pas shefit dhe avokatit të saj Edi Rama”, ndërsa kërkon që SPAK të hetojë jo vetëm legalitetin e projektit, por edhe personat realë që mund të fshihen pas pronësisë së kompanisë.
Bardhi i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme të mbajë përgjegjës Ballukun dhe kryeministrin Rama, duke kërkuar zbardhjen e origjinës së fondeve të dyshuara që, sipas tij, po tentohen të pastrohen përmes këtij projekti strategjik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



