Është zbardhur dëshmia që Julian Sulo ka dhënë para policisë pas atentatit. Sulo, i njohur në zonë si “Juli i Pashakos”, u ka thënë efektivëve se nuk ka asnjë informacion mbi autorët e sulmit.
Ai ka treguar se u gjend i papërgatitur përballë të shtënave dhe se instinktivisht ka tentuar të largohet për t’i shpëtuar plumbave. “Nuk i njoh personat që më qëlluan. U shokova kur dëgjova armët dhe pashë drejtimin e tyre ndaj meje. Mund të jetë ndonjë konflikt i vjetër, por nuk kam një emër për të dhënë”, ka deklaruar Sulo.
Në Lushnje, “Juli i Pashakos” njihet prej vitesh si kundërshtar i hapur i Aldo Bares, figurë kryesore e bandës së famshme të qytetit. Ai përmendet gjithashtu si i afërt me Redjan Rrajën, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin ndaj ish–prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos (“Rrumit të Shijakut”).
Sulo ka qenë më herët i arrestuar për dyshime mbi atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, por në mungesë provash u la i lirë. Emri i tij doli edhe në hetimet për sulmin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, miq të nipit të Bares, por gjatë marrjes në pyetje ai ka mohuar çdo përfshirje.







