E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alimehmeti: Demokratët po braktisen, partia ka nevojë për ‘ringjallje’
Lajme

Alimehmeti: Demokratët po braktisen, partia ka nevojë për ‘ringjallje’

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka komentuar lëvizjen e re brenda PD-së, e cila nga disa është quajtur “foltore paralele”. Ai sqaroi se iniciativa nuk është një tentativë për fraksion apo kundër kryetarit të partisë, por një përpjekje për të ringjallur demokratët që ndihen të papërfaqësuar.

“Absolutisht nuk mbështes përçarjen. Kam qenë pjesë e Rithemelimit në prill 2022, një proces që solli frymë të re, hapje dhe meritokraci. Por disa premtime nuk u realizuan mjaftueshëm, çka krijoi ftohje te demokratët”, tha Alimehmeti.

Ai theksoi se momenti aktual lidhet me përfundimin e proceseve zgjedhore dhe publikimin e raportit të OSBE/ODIHR, i cili evidentoi një garë të pabarabartë dhe fenomenin e asaj që Alimehmeti e cilësoi si “parti-shtet”.

Pavarësisht se nuk kanë marrë autorizim zyrtar nga Këshilli Kombëtar, Alimehmeti nënvizoi se ndihen të detyruar të reagojnë: “Jam brenda PD dhe punoj për PD në mënyrën si e mendoj më të drejtë. Linja zyrtare nuk funksionon”.

Ai gjithashtu konfirmoi komunikimin e vazhdueshëm me Sali Berishën dhe kujtoi se e ka votuar atë dy herë për lidershipin e PD-së, duke theksuar nevojën për ndërhyrje përballë sfidave të gjatë të opozitarizmit: “Jemi në vitin e 13-të të opozitës. Strukturat janë dobësuar nga emigracioni masiv dhe mosha, ndaj PD duhet të dalë te njerëzit dhe të kërkojë anëtarë të rinj”.

Alimehmeti shtoi se kërkesa kryesore mbetet zbatimi i meritokracisë, siç ishte premtuar: “Jam në periferi të Këshillit Kombëtar, i cili nuk është mbledhur prej nëntë muajsh. Kërkojmë të zbatohet kriteri i meritokracisë”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.