Takimi i Salianjit, Berisha zbulon kërkesën ‘e fshehtë’ të Alimehmetit
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sot takimet e zhvilluara nga Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti me demokratët, duke theksuar se nuk ndikohet aspak nga “foltoret” apo takimet që zhvillohen jashtë strukturave zyrtare të partisë.
“Asnjë takim privat nuk më impresionon,” deklaroi Berisha, duke nënvizuar se “çdo zë do të dëgjohet brenda forumeve të PD-së, por ata që zgjedhin privaten, kanë bërë zgjedhjen e tyre.”
I pyetur nëse ka pasur takime me dy figurat demokratike, Berisha konfirmoi se vetëm Ilir Alimehmeti kishte kërkuar një takim pas organizimit të foltores së tij, ndërsa shtoi se ai e ka pritur në zyrë dhe kanë zhvilluar një bisedë për çështje të brendshme të partisë.
“Ilir Alimehmeti ka kërkuar takim dhe e kam pritur. Kemi biseduar, nuk ka sjellë platformë. I thashë se kemi një Statut dhe se asnjë qëndrim nuk duhet t’i japë Edi Ramës luksin të shkojë kundër raportit të OSBE-ODIHR,” – tha Berisha.
Sa i përket Ervin Salianjit, kryedemokrati theksoi qartë: “Salianji s’e ka kërkuar.”
Berisha shtoi se pas përfundimit të analizës së brendshme, PD do të ecë drejt Kongresit Zgjedhor dhe ka mendime të qarta për ndarjen e funksioneve brenda partisë, por gjithçka – sipas tij – do të vendoset “me vullnetin e demokratëve” dhe jo përmes takimeve jashtë forumeve zyrtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



