Skandali i tenderave, SPAK dërgon në gjyq ish-kreun e ARRSH-së
Çështja e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, dhe disa të pandehurve të tjerë të dyshuar për abuzime me tenderat e ARRSH-së, ka kaluar në fazën e gjykimit. Berberi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Më herët, në qershor 2025, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi se kishte dërguar në gjyq Berberin dhe 21 persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në korrupsion, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendera.
Hetimet e SPAK përfshinë 8 procedura tenderimi, dhe në 6 prej tyre u konstatuan shkelje të qarta nga ish-kreu i ARRSH-së. Sipas prokurorisë, Berberi ishte korruptuar nga tre biznesmenë, Valter Begaj, Brunilda Buli dhe Ervis Lami, të cilët ishin bashkëpandehur me të, për tendera me vlerë mbi 77 milionë lekë.
Hetimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e zyrtarëve të tjerë që shkelën barazinë e kompanive në prokurime, duke favorizuar kompaninë “Net Group” SHPK në 7 raste dhe “EuroElektra” SHPK në një rast tjetër.
Për këto shkelje, 18 zyrtarë do të gjykohen për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, ndërsa 3 prej tyre do të përballen edhe me akuzën për falsifikim dokumentesh për favorizimin e kompanive.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka vendosur sekuestro mbi kompaninë DAAM SHPK dhe 12 pasuri të tjera, në përpjekje për të siguruar provat dhe për të parandaluar humbjen e mjeteve të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



